“Jeta nuk varet nga fakti se sa e kuptojmë.”
Nga të gjitha ato që zakonisht i quajmë si dije/shkenca të lëvruara nga njeriu, filozofia shfaqet më tërheqësja, ose më saktë më mbërthyesja; dhe kjo jo ngaqë lëvruesit e saj – pra filozofët – kanë gëzuar ndonjë aftësi të veçantë që i dallonte nga sivëllezërit e tyre të dijeve të tjera, por vetë ajo që qëndron në thelb apo në zanafillë të kësaj dijeje e bën atë të tillë, gjë që e hasim pikërisht te emri me të cilin njihet. Termi “filozofi” është një fjalë e përbërë nga dy emra: filo (φιλο) – “mik” dhe sofos (σοφός) – “urtësi”, domethënë, mik i urtësisë/mençurisë. Pikërisht këtu, te kjo domethënie qëndron ajo veçantia apo përparësia tradicionale e filozofisë në raport me dijet e tjera, saqë, me të drejtë, Milton-i e pat quajtur “hyjnorja filozofi”. Me siguri që ka diçka që nuk shkon te një njeri që nuk do t’ia dijë për urtësinë.[1]
Kështu, në një mënyrë apo në një tjetër, filozofia i përfshin të gjithë – si kërkim për urtësinë.
Por, me sa dimë e me sa duket, kemi dy histori të filozofisë: ajo para Platonit dhe ajo pas tij. Historia e filozofisë pas Platonit është pjesa më pak e rëndësishme e filozofisë, dhe mbi të gjitha nuk mund të rroket në këtillësinë e saj nëse nuk e dimë se në çfarë gjendjeje ishte para Platonit, sikur edhe duke e nuhatur, në mungesë të provave dokumentuese.
Platoni përfaqëson një pikë të ndërmjetme. Filozofia para tij, qoftë edhe sikur të mjaftohemi me Sokratin si përfaqësues të kësaj periudhe, që me gjasë ka qenë mësuesi i Platonit, do vëmë re se ai nuk mendon në kuptimin aristotelian apo kartezian të fjalës, por ajo që bën ai është përcjellja e disa të vërtetave si degë që përfaqësojnë Urtësinë (sofos), që paraqitet dukshëm si kuti me të cilin duhet të matet njeriu, ose si pasyqyra ku ai duhet të shihet se në ç’gjendje është (të qenurit). Pra, është Urtësia përmasa e gjërave, jo njeriu. Natyrisht që ky “profil” i Sokratit na jepet nga Platoni, në veçanti te Apologjia e Sokratit, pasi vetë Sokrati nuk ka lënë asnjë vepër të shkruar, ngaqë ai jetonte sipas asaj që besonte e mendonte, dhe kështu – sipas tij – nuk ishte e nevojshme që kjo të shkruhej. Në fund të fundit, mbetet e mundimshme pyetja se ç’kuptim dhe (pse jo) ç’dobi ka ajo dije e cila nuk përkthehet dot në vepër/veprim, pra sipas së cilës nuk jetohet dot?
Fakti që Sokrati përcillte disa të vërteta të trashëguara, gjithnjë siç na e paraqet Platoni, nuk nënkupton aspak se ai nuk mendonte, natyrisht jo në kuptimin kartezian të të menduarit si e dhënë (dallor) e menjëhershme që provon të-qenurit-në-botë, e formuluar dhe e sublimuar në togfjalëshin cakngulitës cogito ergo sum – “mendoj, pra jam”, duke qendërsuar egon.
Sokrati mendonte se si duhet ruajtur Urtësia dhe cili është modusi më i përshtatshëm për ta përcjellë atë. Sokrati mendonte se si ta dëlirte Urtësinë nga çdo gjë që i shëmbëllente asaj dhe që për çudi i tërhqite më shumë njerëzit e kohës së tij sesa vetë Ajo. Sokrati jo vetëm që mendonte, por edhe meditonte për Urtësinë. Në fakt, ai jetonte për hir të Saj, dhe këtë e dëshmoi duke dhënë jetën për Të. Ai ishte edhe dëshmor, që do të thotë se vendosi të dëshmonte Atë që e tejakalon vetë subjektin dëshmues. Ai nuk mendonte mendimin, ose vetëm për hir të faktit se njeriu mendon. Për të, qendra nuk ishte mendimi, por Urtësia. Prandaj, duke qenë se pasardhësit e tij mendonin mendimin; duke qenë se për ta mendimi është qendra, vetë prova e ekzistencës së qenies, dhe kësisoj e vetmja mundësi për t’i dhënë kuptim asaj – ata prodhuan vetëm mendim, një fenomen i pritshëm, sepse atë synuan dhe e synojnë edhe sot. Ku është mendimi që prodhuan ata të cilët erdhën pas Sokratit? Nëpër libra – është përgjigjja e parë që të vjen ndërmend, por edhe e fundit me sa duket; sepse asnjë nga filozofët pas Sokratit nuk ka jetuar sipas asaj që ka shkruar, kurse Sokrati po; natyrisht jo sipas asaj që ka shkruar, sepse siç e thamë ai nuk ka shkruar as edhe një rresht, por sipas asaj që ka përcjellë/kumtuar.
Kjo është një prej arsyeve kryesore që ka bërë që shumë e shumë njerëz sot të largohen dhe ta braktisin filozofinë, të mos presin më prej saj, duke qenë se presin për shekuj me radhë, dhe rezultati është se nuk u është shpërblyer pritja qoftë edhe me një bindje/siguri të vetme për dilemat bazike njerëzore. Kurse disa mendimtarë shpallën edhe fundin e saj, siç teorizoi Fukuyama me The End of Histori and the Last Man, dhe siç u shpreh edhe Stephen Hawking në një konferencë të vitit 2011, ku duke iu referuar origjinës së universit, thotë se “shumica nga ne, në të shumtën e kohës nuk preokupohemi me pyetje si këto, por shtrojmë shpesh pyetje si: pse jemi këtu e nga vijmë? Tradicionalisht këto pyetje janë të filozofisë, por filozofia është e vdekur”. Hawking e bën këtë konstatim pikërisht duke filozofuar, sepse, në thelb, çdo përsiatje dhe analizë përbën një hap drejt filozofisë, jo në kuptimin modern të saj, por sipas atij sokratik: të jesh mik i Urtësisë, si themeli i pashmangshëm drejt Saj.
Ky nuk është një argument i ri, sepse është shprehur nga pozitivistët qysh në shek. XIX. Për pozitivistët, çelësin e realitetit të gjërave e mbante shkenca, kështu që filozofia, feja dhe teologjia dhe format e tjera të njohjes janë flakur tej për të ardhmen racionale dhe shkencore të njerëzimit. Në tokën e filozofisë, ishte Nietzsche ai që e shpalli vdekjen e filozofisë, ngaqë ai besonte se ia kishte arritur të vërtetonte kotësinë e filozofisë në lidhje me përgjigjet për pyetjet e mëdha të mendjes njerëzore. (Kallën, 2015)
Aq më tepër që Hawking nuk është një pozitivist reduksionalist. Por, kësaj here, në një formë të simplifikuar, ai e përsërit moton e vjetër të shkencizmit: se shkencat e fizikës do duhej të ishin udhërrëfyeset tona në kërkimin e origjinës së universit dhe kuptimin e ekzistencës fizike. Dilema e Hawking-ut për vdekjen e filozofisë nuk përbën një premisë shkencore, por një pretendim filozofik. Duke thënë këtë, Hawking-u ka të drejtë ta sulmojë filozofinë përderisa e sheh atë si gjimnastikë të mendjes, si teoretizim gjuhësor dhe si interpretim abstrakt e koncpetual të shkencës, teknologjisë dhe efekteve të hipermodernitetit në shoqëritë bashkëkohore. Akademia filozofike, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një koment të stërzgjatur mbi thëniet e filozofëve. Filozofët seriozë nuk mund të konkurrojnë me kulturën popullore në kohët moderne. Çastet e tyre të shkurtra të transmetimit në televizion dhe nëpër mediat sociale thyhen nga ndërhyrjet blic të lajmeve të rëndësishme ose nga trendet më të reja të mediave sociale. (Kallën, 2015)
Për sa u përket shkencave, Hawking-u nuk është se nuk ka të drejtë. Nuk mund të injorohet ajo çfarë thonë shkencat fizike në kompozimin e universit. Një pikëpamje e mirëfilltë filozofike do duhej t’i integronte gjetjet e shkencave fizike në analizat e saj. Shkarja e Hawking-ut është kur ai injoron faktin se shkenca nuk përgjigjet për pyetjen “pse?”, por për pyetjen “çfarë?”, duke dhënë si shembull shpjegimi se ç’është një atom dhe si funksionon. Por, ajo që na shqetëson thellësisht si qenie njerëzore është bash pyetja “pse?”.
Ky është momenti kur filozofia na kthehet prapë. Por, cila filozofi?
Natyrisht jo ajo pas Platonit, sepse pastaj duhet t’i japim të drejtë Hawking-ut, madje edhe Marx-it, sidomos Marx-it, që tërthorazi, edhe ai pat shpallur kapitullimin e filozofëve, të cilët gjer më tani e kanë shpjeguar/interpretuar botën, ndërkohë që ajo ka nevojë të ndryshohet.
Europa, në zemrën e identitetit të saj kulturor dhe në veçanti politik, në Athinë, kur dënoi me vdekje Sokratin, në fakt, mbi të gjitha dënoi me vdekje atë që përfaqësonte ai, të cilën po e trajtojmë në këto radhë. Dhe që asokohe e deri më sot, si një mallkim, Europa e ka humbur fillin, duke prodhuar vetëm mendim, atë mendim që nuk mund të përkthehet në jetë, por është i destinuar të pluhuroset ngadalë në rafte librash. Se, në fund të fundit, jeta është prova më e kulluar për vërtetësinë dhe vlerën e një botëkuptimi apo ideje. Kështu, që kur u dënua Sokrati, mendimi është burg. Po jashtë këtij burgu, çfarë ka? Jashtë është jeta.
Që këtej, kjo është arsyeja se pse Europa mban “meritën” e të qenurit e para që ka folur për lirinë, gjë që vazhdon ta bëjë akoma. Po ngaqë i ka munguar, ja përse. Sepse banorët e saj janë burgosur te mendimi, të paktën që nga Aristoteli e deri në ditët tona. Por, Europa ka pasur rastin të dalë nga ky burg dy herë: një herë me Krishterimin (të cilin e kaloi në muze pas Rilindjes) dhe herën tjetër me Islamin, i cili lulëzoi në veçanti në Gadishullin Iberik, me Andaluzinë e famshme – tetë shekuj harmoni mes kulturës dhe qytetërimit, për të cilën kontribuuan të tria fetë abrahamike.
Çështjen e mendimit dhe të lirisë e ka prekur disi edhe Kant-i, kur shkruante se “liria nuk mendohet, por jetohet”. Edhe te Kritika e arsyes praktike, një prej orvatjeve kryesore të Kant-it është dallimi i asaj dijeje e cila i shërben qenies-në-botë si modus operandi në raport me natyrën dhe me Tjetrin; dhe, nga ana tjetër, i dijes që është e kyçur te teoretikja, ose që përbën thjesht ecejake koncpetuale.
Kështu, filozfia bëhet moniste, e njëkahshme. Por, jeta është bipolare. Prandaj, jo rastësisht filozofia nuk e duron dot dualizmin. Në të gjitha traditat, sa në Lindje e sa në Perëndim, në trajta nga më të larmishmet, si: në përralla, legjenda, mite, besime, besëtytni, gojëdhëna, letërsi e në shumë domene të tjera, do pikasim me një lehtësi mbresëlënëse dëshminë madhore se njeriu është trup dhe shpirt.
Në vend të një rezymeje, le të perifrazojmë Izetbegoviçin, i cili shkruan se nuk kemi prova racionale se ekziston edhe një botë tjetër përveç kësaj që pretendojmë se e njohim; përveç të jashtmes, shqisores; mirëpo, nga ana tjetër, e kemi fare të qartë, ose kemi një bindje të brendshme se jeta e qenies-në-botë nuk reduktohet vetëm te prodhimi dhe konsumi.
Mendimtarët dhe shkencëtarët që përpiqen për të zbuluar të vërtetën, nuk do e zbulojnë dot nëpërmjet mendimit atë jetën tjetër, atë që shpërfaqet më e lartë. Por, pikërisht vetë jeta e tyre e kaluar duke kërkuar të vërtetën me një mospërfillje të ngulët kundrejt jetës shtazore, është pikërisht ajo forma tjetër (më e epërme, ose vetë e epërmja) e ekzistencës së njeriut.
Lufta për të tjerët dhe për të vërtetën, për të drejtën dhe të mirën është gjithnjë mohim i kufirit dhe fundit të jetës. Therorizimet e atyre që humbasin/japin jetën, lirinë dhe qetësinë për t’u qëndruar besnikë ligjeve morale, pavarësisht se cilat janë këto të fundit, paraqesin kumtin më të fuqishëm për pafundësinë e jetës dhe të një kuptimi tjetër të saj, të një kuptimi më të lartë. Ato janë shkëndija drite që, si vetëtima në terrin e natës, për një çast na ndriçojnë horizontet e largëta. Madje edhe po qe se do vazhdojmë të qëndrojmë në errësirë, horizontet e shfaqura të atyre çasteve nuk janë të rreme, as shajni. Ato janë dhe mbeten e vërteta më e thellë dhe më e madhe.
________________________________
[1] “Mos e vrit e mendjen!”, ose “mos filozofo shumë!” – thuhet shpesh ndër ne shqiptarët pothuaj për çdo gjë. Po nëse nuk e vret mendjen, çfarë do bësh me të atëherë? Do e mbash si relikt? Apo thjesht si një artefakt sa për të provuar dallimin nga kafsha? A thua se mendja ka ndonjë rol/veti tjetër për njeriun! Një nga ligjet e kësaj jete është se pa flijuar diçka – në këtë rast pa e vrarë mendjen/pa filozofuar – nuk arrihet asgjë e qenësishme. Dhe ai që nuk ka arritur diç të qenësishme/për të qenë, është i destinuar të kërkojë nga të tjerët, për arsyen e thjeshtë se të qenësishmet përbëjnë domosdoshmëri. Si rrjedhojë, ai nuk ka rrugëdalje tjetër përpos se t’u nënshtrohet të tjerëve.