Dennis Prager
dennisprager.com
Javën e kaluar quasi-diktatori marksist i Bolivisë, Evo Morales, i dorëzoi Papa Françeskut një dhuratë: një kryq prej druri në formën e simboleve drapër e çekan, mbi të cilin ishte kryqëzuar Krishti.
Vatikani deklaroi se Papa nuk ishte informuar përpara për dhuratën. Dhe disa komentatorë thanë se fotot e Papës me Moralesin tregojnë që Papa u fye. Ky ishte interpretim fals. Më vonë Papa deklaroi se do ta mbante kryqin drapër e çekan dhe do ta merrte në shtëpi, duke thënë: “E kuptoj këtë vepër. Për mua nuk ishte fyerje.”
Siç raportoi The Guardian, “Zëdhënësi i Vatikanit Federico Lombardi tha se ai personalisht nuk u ofendua nga dhurata e Moralesit.”
Pranimi i dhuratës së Moralesit nga papa – së bashku me sulmet e tij ndaj kapitalizmit gjatë vizitës në Amerikën Latine – konfirmojnë më tej një nga zhvillimet morale më shqetësuese të kohës sonë: Kisha Katolike Romane po drejtohet nga një person pikëpamjet ekonomike, politike dhe sociale të të cilit janë formuar më shumë nga majtizmi sesa nga ndonjë besim fetar apo sistem moral tjetër.
Kjo konfirmon gjithashtu atë që është ndoshta zhvillimi i vetëm më i rëndësishëm që njerëzit kanë nevojë të kuptojnë, me qëllim të kuptojnë botën e sotme: Religjoni më dinamik i njëqind viteve të fundit ka qenë majtizmi – jo krishterimi ose islami ose ndonjë religjion tradicional tjetër. Dhe vërtetë, në lidhje me religjionet tradicionale, majtizmi i ka ndikuar ato – veçanërisht krishterimin dhe judaizmin – më shumë se ato kanë ndikuar të majtën. Krishterimi protestant, shumica e katolicizmit (veçanërisht në Amerikën Latine, ku papa Françesku ka jetuar gjithë jetën e tij derisa u bë papë), dhe shumica e judaizmit jo fanatik janë bërë thellësisht lëvizje liberale/të majta me identitet fetar (dhe në rastin e judaizmit, etnike).
Në lidhje me krimet e kryera, cili është dallimi mes drapër e çekanit dhe svastikës [simboli nazist]? A do të merrte Papa, le pastaj ta ruante, një skulpturë fashiste, raciste, ose naziste me Krishtin të kryqëzuar mbi të? Sigurisht që jo. E megjithatë, drapër e çekani përfaqëson më shumë vuajtje njerëzore se të gjitha simbolet e tjera së bashku. Numri i njerëzve të skllavëruar dhe të vrarë nën drapër e çekanin është shumëfish më i lartë se numri i njerëzve të skllavëruar dhe të vrarë nga çdo doktrinë tjetër në histori .
Për t’i bërë gjërat më keq, papa e mori dhuratën nga një njeri (Morales) që mbante fotografinë e Çe Guevarës në xhaketë. As kjo nuk ia vlen për t’u dënuar nga Vatikani? Guevara ia kushtoi jetën shkatërrimit të lirisë njerëzore dhe vrasjes së njerëzve të pafajshëm në emër të komunizmit.
Po sikur, gjatë vizitës në një muze amerikan, artisti amerikan Andres Serrano t’i kishte dhënë Françeskut dhuratë – veprën e tij artistike “Urino Krishtin” – që paraqet një kryqëzim në një kavanoz me urinën e Serranos?
A do ta kishte pranuar Papa? A do ta kishte marrë me vete në Vatikan?
Nuk mund të kishte pasur një dhuratë tjetër që paraqet më me saktësi vlerën e sistemit të këtij Pape sesa Krishti i kryqëzuar në një drapër e çekan. Së pari, në kuptim fjalë për fjalë, kjo është ajo që komunistët kanë bërë kudo ku kanë marrë pushtetin: kryqëzuan Krishtin duke punuar dhunshëm për shkatërrimin e Krishterimit dhe vranë të krishterët. Së dyti, në kuptim figurativ, dhurata prezanton përzierjen e krishterimit me marksizmin, pikërisht atë që përfaqëson pjesa më e madhe e kishës, sidomos në Amerikën Latine, e veçanërisht ky papë.
Më dhemb shpirti për miliona katolikët që mendojnë se kisha e tyre e dashur po çohet drejt një humnere morale dhe fetare nga një papë majtist dhe majtistë të tjerë të panumërt mes kardinalëve, peshkopëve dhe priftërinjve.
Megjithëse unë nuk jam katolik, edhe mua më dhemb shpirti. Të vetmet institucione që mund t’i bëjnë qëndresë pushtimit të së majtës mbi jetën bashkëkohore janë ato fetare. Kur ato dështojnë, te cilat institucione mund të mbështetemi?
Tragjikisht, ne nuk mund të mbështetmi te kisha katolike e tanishme. Kur Papa mban një të kryqëzuar mbi drapër e çekan; kur Papa deklaron se kapitalizmi i tregut të lirë, sistemi i vetëm që ka nxjerrë nga varfëria miliona njerëz, të jetë më së shumti i keq; kur kardinali i Kubës Jaime Ortega deklaron se në Kubë nuk ka të burgosur politikë; dhe kur Papa nxjerr një enciklikë mbi grohjen globale, ndërkohë që komunitetet kristale më të lashta në botë janë zhdukur, është e qartë se, ndërsa njeriu mund të kërkojë orientim moral nga një prift katolik, ai nuk mund të kërkojë udhëheqje morale te kisha katolike dhe Papa i saj. Përkundrazi. Duhet të bëjë qëndresë.