Panairi i librit rishfaqi vanitetin e jetës kulturore shqiptare, tashmë rutinor si një film i riparë me dhjetëra herë. Më shumë se librat, në stendat e rënda plot shkëlqim të botuesve “të mëdhenj” u shitën autorët, si markë që shet më shumë emrin se mallin. Panairi ishte një paradë e triumfit të komercialitetit përballë letërisësë së mirëfilltë apo mendimit profesional.
Henri Çili dhe e gjithë ndërmarrja “e sukseshme”, që ai përfaqëson, si gjithmonë është fenomeni i cili zë vëmendjen më të madhe nëpërmjet autorëve të mediatizuar që përzgjedh të botojë. Vendin e Blushit, Ngjelës apo Velos e kanë zënë të rikthyerit Fevziu e Zogaj, si për të dëshmuar triumfin shpartallues të televizionit mbi literaturën, apo të imazhit mbi shkrimin. Nuk mund të mungonte Kadareja si magnet çmimesh – hiq rastet kur ato i merr e shoqja, apo ndonjë libër që flet për të -, i cili fitoi çmimin Jeronim De Rada, që u akordua për herë të parë, ashtu kot, sa për të bërë diçka ndryshe, meqë qëlloi që ky i fundit kishte 200 vjetorin.
Evente të tilla ofrojnë edhe surpriza mediatike si ajo e njëfarë Albatros Rexhaj, që pretendon se ka shpikur një rrymë të re filozofike të quajtur “filozofi urbane”, të letrarizuar në një vepër artistike, Zonja Z, ku autori trajton tema të ndryshme të preferuara përgjithësisht nga adoleshentët, nëpërmjet të cilave mundohet të ngrejë vulgaritetin në rrafsh filozofik, gjë të cilën e servir si thyerje tabush e veprimtari emancipuese në dobi të shoqërisë. Zonja Z, duket se ka hyrë nga oxhaku në Olimpin e letrës, duke e arritur suksesin me mjete të tjera nga ato të Çilëve. Ai vjen këtu duke paralajmëruar konkurrencën e fortë që facebooku premton kundër medias mainstream, gjithsesi pa e përmirësuar aspak klimën e varfërisë në vlera. Forca e Rexhajt qendron tek klikueshmëria e lartë që ka faqja e tij, gjë që mbështetet mbi përpjekjet e tij të palodhura për të bërë statuese e komente, duke tërhequr turma miqsh virtualë rreth vetes.
Ajo që shoqëron gjithmonë festivale të tillë të librit, ashtu si në shumë fusha të tjera, është mungesa e autoriteteve të mendimit dhe vlerësimit. Nuk besoj se ka vend në botë ku libri tregtohet në këtë mënyrë, si patatina, pa asnjë kritikë e vlerësim. Libri ecën në Shqipëri në logjikën e tregut: “reklama shpirti i tregtisë”, pa asnjë orientim autoritativ. Gjithçka flet se kemi hyrë në epokën e zhdukjes së lexuesit. Lexuesi nuk përzgjedh më, por pret çfarë do t’i japin. Kjo tregon se ai nuk është më lexues, por thjesht konsumator fjalësh, që mbllaçit ndonjë herë në vit diçka të shkruar në letër, sa për të shpëtuar ndërgjegjen duke bindur veten se nuk është injorant.
Sidoqoftë, vihet re një zvetënim i atmosferës së panairit. Kjo jo për shkak të ndonjë zgjimi të njerëzve, që kanë kuptuar kotësinë e përdorimit të librit për imazh, në kurim të vanitetit tonë si shoqëri, por më shumë për arsye krejt banale, që vijnë nga politika, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Hapja e një tjetër panairi, në pranverë, i cili gëzoi edhe mbështetjen e plotë të Ministrisë së Kulturës, e ka shpërndarë disi vëmendjen. Mungesa e shtetit tek ky panair bën që të humbë shumë nga shkëlqimi i rremë tradicional që ka shoqëruar këtë envent. Ndarja e kampit të botuesve të Partisë Socialiste në dy pjesë (midis Toçit e Dudaj) ka sjellë efektin e vet në të tilla ndërmarrje. Fati i keq i këtij panairi është se pronarin e ka me Blushin: pra, jo fort në kampin e duhur.
Gjithsesi, asgjë për t’u shqetësuar. Shtëpitë botuese do të vazhdojnë të ofrojnë mallra jashtë afatit të skadencës, ndërsa turmat do të vazhdojnë të rendin e mbajnë rradhë për t’u ushqyer. E sigurtë është që stenda e Henri Çilit do të vazhdojë, sido që të jetë, të thyejë rekorde shitjesh, duke u impostuar si promovuesja më e madhe e vlerave të mendimit shqiptar.