Richard Cohen
Unë nuk shkova në kolegj për të bërë para. (Një plan krejt i suksesshëm, meqë ra fjala.) Unë shkova për shkollim. (Një tjetër plan krejt i suksesshëm.) Për të përmbushur një kërkesë, zgjodha antropologjinë, dhe qysh atëherë nuk kam hequr dorë prej saj. U enda në shkencat politike dhe histori të të gjitha llojeve, mendova se kisha zbuluar gjithë të fshehtat e jetës në psikologji, megjithëse varieteti frojdian ma prishi shijen. Shkencat e sakta s’ishin për mua.
Unë e çmoj shkollimin tim, por nuk mund t’i vendos një çmim. E di që më sjellë ca të ardhura të mira – mendoj se Post-i [Washington] nuk do të më kishte punësuar, nëse nuk do të kisha diplomë – por ndoshta do të kisha pasur të njëjtin fat, nëse do kisha ndenjur në biznesin e sigurimeve, ku punoja ndërsa natën ndiqja kolegjin. Unë u ngrita në detyrë nga zyra e aplikimeve kalova te shitjet – nuk kishte nevojë për diplomë, thjesht, siç është shprehur Athur Miller, “një buzëqeshje dhe këpucë të lustruara – dhe mund isha tashmë i pasur. Nga karriera që kam, jam financiarisht i kënaqur.
Këto vëzhgime m’i nxiti sasia e lajmeve për koston e kolegjit dhe nëse ia vlen a jo. Thuajse gjithë lajmet, flasin me një simbol parash ($), por thuajse kurrë në terma shkollimi – dije, njohje dhe, nëse do guxoja, në kërkim të kënaqësisë. (Drejtuesit e lartë në biznes janë më të mërziturit me punën e tyre, sipas një sondazhi të fundit.) Mësojmë se kostoja e kolegjit është rritur në qiell, se të diplomuarit del në jetë me një borxh shkollimi 33000 dollarë, se puna e stazhit nuk paguhet thuajse fare, se tregu i punës është i ngarkuar dhe që Peter Thiel, themelues i PayPal, ka krijuar diçka që quhet Thiel Fellowship që u ofron para të rinjve që braktisin shkollën për të hapur biznesin e tyre. Thiel renditet 293 në 400 më të pasurit sipas Forbes. Unë e rendit nr. 1 për ide të diskutueshme.
Siç e thekson Naomi Schaefer Riley në një artikull të 2011, një pjesë e kësaj është gabim i kolegjeve dhe universiteteve. Ato kanë hequr disa nga kurrikula disa kurset thelbësore. Unë njoh të diplomuar në shkolla që mbahen si cilësore që nuk kanë mësuar thuajse asgjë… nga historia amerikane, historia e botës, ose letërsia. Ata janë vetëshkolluar nga subjektet e emisioneve televizive për brezin e tyre, që nuk i përgatit ata as të bëhen skenaristë, sepse ajo që ata dinë është realizuar tashmë. Nëse ata mendojnë se kolegji nuk vlen asnjë kacidhe, kanë arsye. Ata mund të qëndrojnë shtëpi dhe të shikojnë të përsëritjet [e filmave].
Nuk duhet të habitemi që vlera e shkollimit matet vetëm në terma ekonomikë. Kështu ndodh me gjithçka. Në gusht, Josh Barro shkroi në The New York Times se, nëse një pasagjer avioni pas meje nuk dëshiron që ai të shtrijë sediljen, ai person duhet ta paguajë atë. Unë kam një pyetje të thjeshtë. Në autobus ose në metro, a duhet ta pyes gruan shtatzënë para meje se paguan t’i liroj sediljen? Barro e quan këtë çështje të të drejtave të pronës. Unë e quaj qytetërim, mirësjellje, respekt.
Unë përdor njësinë matëse time për shkollimin tim. Takova ca njerëz të mrekullueshëm, veçanërisht shokët e mi studentë që ishin shumë më të ndërlikuar e më të gjezdisur se unë. Pata ca mësues të mëdhenj, njëri prej tyre u bë mentor dhe më mësoi si të duroja kritikën. (Ende mundohem). Dritare të tëra mu hapën – filozofia, të cilën nuk do ta kisha lexuar kurrë nëse nuk do të isha detyruar; vargjet e Chaucer; dhe, natyrisht, antropologjinë, kulturore dhe fizike. E dyta më bëri të kaloj nga tavolina në tavolinë, mbi të cilat ishte vendosur një kafkë njeriu. Mua më duhej të përcaktoja seksin, racën dhe moshën. Gjeta pesë nga pesë. Kjo nuk është nga ato gjëra që mund ta bëni në punë.
Unë dola në jetë kur vendet e punës ishin sheshit dhe kolegji jo shumë i shtrenjtë. U diplomova me borxh, por i përballueshëm, dhe u nisa të bëja diçka që e dashuroja – gazetari. E kisha praktikuar në kolegj. E di që gjërat kanë ndryshuar dhe nuk i anashkaloj kushtet e sotme ekonomike. Por mund t’ju them këtë: shkolla më bëri njeri më të lumtur. Nuk e disa është vlera e saj në dollarë, por e di çfarë vlere ka për mua: gjithçka.