Jemi përpara sallatieres. Piruni ka ngelur në distancë nga repka e kuqe. Përthyhet si një çelës soli. I trasmetoj ngërçin tim. Të dy jemi para pjatës e televizorit. Sapo kishim braktisur programet pa undyrë të së shtunës në darkë që stacionet italiane furnizojnë pafund e pa mëshirë. Shorti i ra Tv Klanit: Kënga magjike! Na u desh pak kohë të sintonizonim dëgjimin e shikimin nën retë e në mes të tymit të dritave pa kursim. Na e do mendja që Fierza punon vetëm për këtë festival.
Konkurrenti i parë, një djalë i veshur e i krehur si pjestar i “Oasis”, i dëshpëruar, mundohet t’i japë zë një kënge që duket sikur vjen nga fillimi i viteve ’90. Zëri, në e ka pasur ndonjëherë, e ka lënë tashmë. Çfarë mbetej në skenë është veç një kostum mes bitëllsave e një portieri hotelesh dhe një prerje flokësh të stilit Gallangher.
Nuk patëm kohë të uleshim në pikjatë për të kapur një repkë të mbuluar nga arrat kur u paraqit një djalkë jetim. Ish pa të vëllanë. U çorr e u përdrodh i gjori. Kish hall të madh dukej. Atëherë kapa pultin i shqetsuar. Shtypa butonin e zërit. Ishte në max. I nervozuar kapa shapkën. Funksionon gjithmon në ndeshje futbolli kur zëri i Shakohoxhës humbet në ulurima tifozi pa koment. E godita. Asgjë!! Vazhdonte të vinte i ngjirurr, i shterrur. Më çliroi vetëm fundi i këngës. Prezantuesi, me një zë mes femrës e cjapit të tredhur, lajmëron performancën e një të riu kasap. Ai qe i vetmi që i bëri nder profesionit. Kënga filloi të rridhte gjak gjinqi të therrur me ritme tallavaje. Lëviza nga karrigia. Piruni në fund të krahut ishte bër hanxhar. Nuk e zbuti as libanezi i vogël që me një “alleer leee leee le le” do kish prek çdo zemër 48 vjeçari afgan në pritje me një thes me pare t’i gëzonte natën. Një arnaut i vogël që vjen nga Arabia e flet anglisht. Tollovi. Sallata filloi të rrotullohej vrullshëm në pjatë! U mbajta me një dorë fort në karrige. I thirra në ndihmë stoicizmit. Dua ta çoj deri në fund këtë thertore zhurmash në playback, i thash hanxharit pirun si për t’i dhënë kurajo.
Prezantuesi e shoqëruesja e tij e bukur pa gojë njoftuan ardhjen në skenë të një çifti këngëtarësh që garantonin spektakël. Mbesa e një teneqexhiu e një llosh pranë saj hapën gojën e filluan të çrregullojnë tinguj. Ritmi i teneqes së gjyshit vazhdoi pamëshirshëm në tingujt e këngës greko-vllahe të lëtyrtë. Publiku në delir. Duhej diçka të më trondiste, të mundte stoicizmin tim të kësaj të shtune, e të më largonte nga ai ekran. Nje magji.
Nuk vonoi dhe magjia u shfaq në skenë. Nje birbo italian e ndezi skenën flakë. Dukej sikur kish prerë gjithë pemët e Dajtit. Sharroi e dogji nja dy çupa, ndërsa prezantuesi tha që këtë numër e kish bër edhe një natë përpara. Shqyem sytë! Piruni u përthye në mes papritur. Unë mundohesha të gjeja në trupat e vajzave vijën e prerjes së një nate më parë, diku aty nga mesi i gjatësisë së tyre për të gjetur pika të ngjitëses që u kullonin breçkave. Hiç. Asfare. Më zu stresi. Nuk qemë në gjendje të rimerrnim veten kur ia behu Stresi, i materializuar në formën e një gangoje lagjesh që dukej se kish lënë mbas skenës kaushin e barit të sapo ndezur. Sapo hyri, filloi të përdridhej si xax afro-amerikan. Dora po çlironte pirunin e tjetra krahun e karriges. Ishim të pafuqishëm t’i largoheshim ekranit. Na kishte grushtuar keq. Ishim të trullosur.
As zëri i çjerrë i labes amerikane që i qe bërë gjoksi grop duke goditur veten në dalldinë e këngës që interpretonte e as qurravitja e një tjetër këngëtareje, që operacioni ia kish sjellë bythën mbi shpatulla, nuk na nxorri nga trullosja. Ishim droguar. Nga mbas skenës dilnin shtëllunga të tymosjes stresjane. Me një tendosje titanike ia arrita të largoja sytë nga ekrani. Piruni i kish shpartalluar dhëmbët e dukej si një punkabestia i sapo shpuar me shiringë. U pamë sy më sy. U kuptuam. Duhet të bindnim dorën e majtë të shtypte pultin: off.
Me shumë mund ia dolëm më në fund. Pause… qetesi… U ripamë. Na duhej një anti-dozë, një përrallë. Drejtova dorën mbi sallatier ku piruni u ngul mbi rrepkën e tultë. Dora tërhoqi pirunin, piruni repkën… plaku thirri plakën e plaka qenin, qeni… aaa qen bir qeni. Pse nuk erdhe me parë të na ndihmoje po na le në shoqërinë e miqve të tu që lehnin.