Doan Dani
Një dhelpër e uritur joshet një herë nga disa vile të mrekullueshme, që më kot mundohet t’i arrijë dhe kur e kupton pamundësinë e kapjes së frytit ajo e ndryshon preferencën e saj, duke pohuar se rrushi nuk ishte i pjekur dhe se nuk donte ta këpuste. Ndryshimi i preferencës (ose zgjedhjes) në fabulën ezopiane Dhelpra dhe rrushtë ilustron rastin kur subjekti kërkon me çdo kusht të ruajë koherencën në konceptimin e vetes: për respektimin e dimensionit integrues të identitetit, ai heq dorë, qoftë edhe përkohësisht, nga dimensioni përzgjedhës. Me fjalë të tjera, konceptimi që dhelpra ka për veten (ose, më saktë, njeriu për të) – e zgjuar e kësisoj me imunitet ndaj gabimit – e shtyn drejt maskimit të dobësisë përmes heqjes dorë nga zgjedhja e saj, në vend që të pranojë pamundësinë: është një mekanizëm i vlefshëm i ruajtjes së koherencës me veprimet (zgjedhjet) e mëparshme, me të cilat ndërtohet mozaiku i vetëperceptimit, ndërsa, në të kundërt, varianti i pranimit të së vërtetës apo i pamundësisë në arritjen e objektivit, në rastin konkret do ta zhyste dhelprën në konflikt me veten.
E parë nga këndvështrimi i mekanizmit të vetëmbrojtjes, taktika e përdorur nga dhelpra e fabulës skicon mjaft mirë energjitë e shpenzuara nga tradita historiografike shqiptare në drejtim të koherencës, të kanalizuar sidomos rreth zgjedhjeve operuese për interpretimin e Skënderbejadës dhe dikotomisë Ne/Ata. Megjithëse alternohet ekzaltimi i përbërësve identitarë në varësi të qasjes dominuese, armiku permanent dhe i pandryshueshëm në imagjinatën e Vetes kolektive fiksohet që në Mesjetë dhe në mënyrë koherente ka, ose duhet të ketë, stigmën e fytyrës orientale, prej së cilës bën përjashtim (me intensitet të ndryshëm) maska bizantine, që, edhe pse në konflikt me euroteizmin, nuk është asnjëherë pjesë e llogores së tjetërsisë. Sakralizimi i heroit paraqitet si një tjetër shprehje domethënëse e koherencës dhe e modifikimit të zgjedhjeve përballë situatave kontradiktore, siç është, për shembull, raporti i Skënderbeut me Krujën, ku rëndësia e materies (qytetit), e shndërruar në simbol ilustrues i arketipit të qëndresës, zhvlerësohet përpara atributeve sakrale që projektohen te heroi, dhe me këtë ilaç anestetik – i cili e mban të paprekur imagjinatën për heroin – kalohet nga (tempulli) Kruja e humbur te tërheqja e Skënderbeut në Lezhën (e huaj) e domeneve venedikase, përndryshe vendi i disfatës së dy sulltanëve nuk mund të mos ishte i tillë edhe për një sundimtar që detyrohet ta lëshojë atë. Sa më shumë që territoret e Skënderbeut tkurren, si rezultat i ofensivës gjithnjë e më të ripërtërirë osmane, aq më shumë – për historinë e standardizuar shqiptare – objektivi i tij pragmatik i fillesave zëvendësohet nga sfera e idealeve, dhe vetëm kështu dështimi i një projekti politik shqiptaro-mesjetar mund të mënjanohet nën dritën e disfatave (ushtarake) të përkohshme të Tjetrit. Pra nga njëra anë avullon projekti e nga ana tjetër historiografia vazhdon me kokëfortësi t’i bëjë jehonë sprapsjes së Mehmetit II nga rrethimi i Krujës, të cilën pas pak kohësh Skënderbeu e humbet: në fakt nuk e humbet, por ia marrin.
Ajo çka e karakterizon më së shumti medievistikën shqiptare është koherenca shumëplanëshe: koherencë me qasjen nacionaliste, arketipin e qëndresës, vetëdijen kombëtare të bregëzuar në Mesjetë, mesianizmin e Heroit, strukturën e ngurrtë të dikotomisë Ne/Ata të inskenuar në një shfaqje manikeiste, hierarkinë e qytetërimeve, inxhinierinë e urrejtjes, funksionimin themeltar të së shkuarës në tërësi dhe kultin e memories. Fillimisht është gërmuar në rezervuarin mesjetar, e më pas, gjatë regjimit, zbulimi është pasuruar e shndërruar në kanonin e masivizuar në pavetëdijen kolektive, për t’u trashëguar në çerekshekullin e fundit. Mund të ndërhyhet te kanoni, dhe interpretimi euroteist e konfirmon, pa kërcënuar as minimalisht koherencën e cituar. Vetë fjala ‘koherencë’, që rrjedh nga aliazhi latin i cum dhe hærere (‘të qenurit ngjitur’ ose ‘të qëndruarit bashkë’), identifikohet nga pandryshueshmëria, e cila, në rastin konkret, i aplikohet sa pozicioneve të interpretuesit historiografik, sipas parimit ‘kështu na duhet’, aq edhe objektit të interpretuar, me parimin ‘kështu ka/kemi qenë përherë’. Një organizim teleologjik i medievistikës, ku e shkuara sistemohet në bazë të synimeve të para/për-caktuara, detyrimisht duhet të mbështetet mbi sistemin e akullimit dhe parimin e pandryshueshmërisë.
Produkti i këtyre qasjeve është një Mesjetë lineare, monotone dhe e imagjinueshme, që duke filluar e mbaruar me luftë praktikisht e ka zhvlerësuar kureshtjen – megjithëse ka qenë në vëmendjen e vazhdueshme të ideologjive, grupeve të pushtetit dhe elitave –, ndërsa vetë qasjet interpretuese, si rezultat i sakralizimit, janë ndarë – siç nënkupton rrënja sacer e fjalës sakralizim – nga bota profane, ashtu si vetë produkti studimor përfundimtar, duke u pavarësuar nga ligjësitë e arsyetimit kritiko-analitik. Natyrën sakrale e thekson më tej bashkëjetesa e njëkohshme e dy gjendjeve ekstreme: edhe shkencë edhe korpus i dendur kontradiktash, interpretimesh groteske, shpikjesh, ekzagjerimesh, paragjykimesh, urrejtjesh e adhurimesh; edhe interpretim edhe pezullim kritike; edhe racionalitet objektiv, ku përmes operimit logjik historiografia përdoret si mjet për arritjen e një qëllimi/përfitimi final, edhe racionalitet aksiologjik (pjesë e racionalitetit subjektiv), i cili, duke operuar në bazë të vlerës (nga άξιος, ‘i vlefshëm’, ‘i denjë’) e jo në bazë të së vërtetës (shkencore), mundëson njësimin e shpikjes me shkencën dhe i bën kontradiktat të tejdukshme.
Ndërmjetësimi mes sakrales dhe profanes është realizuar nga kleri i historianëve. Funksioni i ushtruar në raport me memorien kulturore e përfshiu historianin e fazës së nacionalizimit dhe sidomos të regjimit enverist mes atyre që Jan Assmann-i quan «kujdestarë të specializuar të traditës». Meqenëse shoqëria nuk jeton vetëm me arsye, mund të supozohet se vullneti i këtyre kujdestarëve ka qenë krijimi dhe konservimi i «miteve të mira» për komunitetin, i fazave të lavdishme dhe i mnemotoposve, paçka se përcaktimi i vlerës së mitit vjen nga synimi final i angazhimit të tij, dhe, jo rastësisht, ajo çka është e “mirë” për një komunitet mund të jetë e rrezikshme për një tjetër ose për të njëjtin subjekt në periudha të ndryshme kohore: konfliktet e tmerrshme të fundshekullit të kaluar përplasën mite dhe “arsye të vlefshme” për secilin nga komunitetet antagonistë. Si në çdo përplasje, abuzimi me historinë është konsideruar detyrim ndaj përkatësisë së identitetit kolektiv të momentit dhe kjo vazhdon ta mbrojë klerin e interpretuesve të memories pas aksiomës ‘po bëjmë detyrën’, ‘në shërbim të…’ dhe ‘kundër Tjetrit’ (të brendshëm e të jashtëm), i cili, si armik, i nënshtrohet sistematikisht zhveshjes nga rrobat e qytetërimit.
Natyrisht që një historibërje e konceptuar në këtë mënyrë – e të besuarit dhe jo e të diturit – vijon t’i rezistojë procesit të “shekullarizimit” dhe, rrjedhimisht, shkëputjes nga memoria. Kufiri mes saj dhe memories paraqitet kudo e kurdo i depërtueshëm, sepse dobia e njohjes në vetvete nuk është shndërruar në lajtmotiv, siç e konceptonte Marc Bloch. Prirja drejt «përmbushjes së një detyrimi social» dhe përzgjedhja e asaj se «çfarë nuk duhet harruar» – madje më shumë se e çfarë duhet kujtuar – janë karakteristika themelore sa të «kulturës së kujtesës», aq edhe të medievistikës shqiptare. Të dyja përbashkohen në prodhimin e identiteteve kolektive dhe aparateve mito-simbolike. Përzgjedhja në vetvete nuk është shpikje, por së paku orientim, dhe një historiografi që rreket të jetë e tillë është sigurisht larg të qenurit shkencë (ose vetëm shkencë). Procesi i formatimit dhe riformatimit të identitetit shqiptar gjatë shekullit të kaluar dhe mëngjesit të mijëvjeçarit të ri përmes ndryshueshmërisë në intensitetin dhe përparësinë e celebrimit të kulteve të ‘lavdisë’, ‘vazhdimësisë qytetërimore’ e ‘sakrifikimit’, ndërsa vetë shqiptarëve u kërkohet (e me raste imponohet, me forcë ose me stigma) të perceptohen si të fosilizuar në kohë, dëshmon për ri-orientime dhe jo ri-shkrime në histori, atë për çfarë nevojat aktuale imponojnë të mos harrohet dhe anasjelltas, për të njëjtat nevoja, të anashkalohet ose të ndëshkohet me harresë – për aq sa patetik është koncepti ri-shkrim në historiografi. Vetë prania e këtyre tre kulteve, me sakrifikimin e ekstremizuar në viktimizëm, me qëllim përfitimin nga statusi i viktimës dhe ushqimin konstant të urrejtjes ndaj Tjetrit (përndryshe, vënia konkretisht e drejtësisë realizohet nga kush, ndaj kujt dhe si?), pasqyron shinat mbi të cilat lëviz kjo historibërje.
fragment nga libri Shpikja e Mesjetës