Romeo Ismahilaj
Aplikimi i sistemit demokratik në Shqipëri është një fenomen i cili karakterizohet prej disa tipareve krejt të veçanta dhe të diskutushme. Mënyra se si u përzgjodh dhe fakti se si e shtriu ndikimin e saj demokracia në një vend relativisht të vogël si i yni përbën një element të rëndësishëm ndaj të cilit shumë-kush duhet të reflektojë shpesh për t’iu qasur rrënjëve të këtij fenomeni. Raporti i udhëheqësve politikë me intelektin dhe intelektualët mbetet të shqyrtohet nën hijen e kritikës së sistemit politik që ata e zgjodhën si metodë të re të ushtrimit të pushtetit të tyre e me anë të këtij zëvendësimi legjitimuan vazhdimësinë e të qenit në pushtet duke ruajtur rendin homogjen të grupeve sunduese. Duke pasur parasysh se totalitarizmi në vend nuk u zhduk nga rrënjët, ai sot gjendet ende mes nesh i shprehur në forma të ndryshme të politik-bërjes dhe ligjërimit. Ndërsa natyra e konfliktit social shfaqet shumë armiqësore dhe destruktive, përkundër rolit konstruktiv që i përcaktohet në idetë bashkëkohore të demokracisë. Nga ky konflikt është përftuar edhe një karakter politik i privuar në nivel të lartë nga fryma humane.
Marsi i vitit 1992 shenjon shfronësimin e komunizmit dhe të partisë komuniste nga pushteti politik i Shqipërisë dhe përqafimin e sistemit demokratik. Kjo ngjarje konsiderohet si ngjarja me ndikimin më të madh në fund-shekullin e XX dhe gjithashtu e fillim-shekullit të XXI. Ky shndërrim, i cili më shumë se gjithçka ishte produkt i natyrshëm i ndikuar nga shndërrimet gjeopolitike në Bllokun Lindor dhe në një masë të konsiderueshme – rezultat i dekadencës së totalitarizmit gjysmëshekullor, u shfaq në realitetin historik të shoqërisë sonë si trumbetues i një organizimi shoqëror dhe politik të ri, të hapur dhe liberal; por dukshëm ky ndryshim u nis dhe u vazhdua përgjithësisht me të njëjtët aktorë të cilët instrumentalizuan mjetet e pushtetit të kaluar.
Zëvendësim jothelbësor i sistemit politik: konstruksion fasadash
Në sekuenca të ndryshme të proceseve nëpërmjet të cilave u arrit deri tek konstituimi i pluralizmit politik dhe implementimi i demokracisë në vendin tonë, gjejmë të shprehura cilësi thelbësore të mentalitetit politik dhe kulturor të shqiptarëve. Fakti i shkatërrimit të bustit të Stalinit në Shkodër në vitin 1989 dhe i rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991, përtej simbolikës antikomuniste reflekton edhe tipare të karakterit të shqiptarëve. Nëse e krahasojmë rrëzimin e komunizmit në Rumani me atë të sistemit totalitar në Shqipëri vërejmë mënyra të ndryshme të të menduarit politik. Rrëzimi i bustit dhe shtatores përkatësisht të Stalinit dhe Enverit me vrasjen e Nikola dhe Helena Çausheskut janë fakte që pasqyrojnë mentalitete të ndryshme. Motivi i tyre buron nga e njëjta ndjenjë; dëshira për të shpëtuar nga robëria e gjeneruar prej sistemeve diktatoriale dhe për të përjetuar kushtet bazike të lirisë së jetës, mendimit, organizimit dhe shprehjes së vullnetit politik. Ndërsa mënyrat se si është menduar dhe vepruar për t’u çliruar prej robërisë së këtyre pushteteve janë krejt të ndryshme; nga njëra anë kemi rastin rumun prej të cilit kuptojmë vendosmëri për ta luftuar me çdo çmim arritjen e kësaj lirie dhe nga ana tjetër kemi rastin shqiptar tek i cili vihet re luhatshmëria në dilemën për ta luftuar pushtetin ose jo. Dëshirat janë të njëjta, burimi i tyre jo. Rumunët e kërkonin lirimin prej robërisë së komunizmit dhe e zgjodhën rrugën e eliminimit total të elementit qendror të pushtetit që orientonte të gjitha pjesët e tjera të tij, ky ishte argument që ata e kërkuan drejtpërdrejt të mirën dhe nën hijen e pohimit të Spinozës i cili thotë se: “Dëshira që lind nga arsyeja na bën ta kërkojmë drejtpërdrejt të mirën dhe t’i ikim tërthorazi të keqes”[1], dëshira e rumunëve ishte e arsyeshme sepse në mënyrë direkte e kërkuan të mirën dhe në kushtet e tranzicionit pas vrasjes së diktatorit gjetën mënyra të tërthorta për të mos u kthyer më tek sistemi i së keqes.
Krejt ndryshe ndodhi me shqiptarët të cilëve nuk iu mungonte dëshira për t’u liruar nga robëria, por kjo dëshirë nuk i shtyu ta kërkojnë të mirën drejtpërdrejtë. Fakti që në mars të vitit 1991 ata sollën edhe një herë në pushtet Ramiz Alinë, pasardhësin e diktatorit Hoxha tregon karakter të kundërt me të rumunëve, ky fakt na thekson të vërtetën se shqiptarët kishin dëshirë për t’i shpëtuar robërisë së komunistëve, por kjo dëshirë nuk lindte nga arsyeja më shumë se sa nga vuajtjet dhe lëngimet që u kishte shkaktuar diktatura. Ndërkohë që nuk u synua asnjë mënyrë e tërthortë për t’i ikur së keqes, e keqja u pranua heshtazi dhe reagimi ndaj rendit shtypës pothuajse nuk morri jetë. Ndryshimet erdhën vetëm pas një viti, të ndikuara nga vetëdija se regjimeve diktatoriale në shtetet e tjera po ju vinte fundi dhe shumë shpejtë do i vinte radha edhe Shqipërisë. Problemi nuk qëndron tek ajo që ndodhi në mars të vitit 1992, por tek pozicioni që treguan shqiptarët në vit para tij. Ai pozicion është tregues edhe i ngjarjeve të cilat pasuan demokracinë në vend; ruajtjen e ekzistencës së PPSH-së duke i ndërruar emrin, ardhjen në pushtet të shumicës së politikanëve që kishin poste udhëheqëse përgjatë komunizmit, forcimi dhe konsolidimi i grupeve të vogla të cilat zotëronin resurset me të mëdha ekonomike në vend si edhe uzurpimi i institucioneve më të rëndësishme.
Modeli i pakuptuar
Përgjatë 25 viteve të vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri konstatohet pamundësia për të arritur kërkesat e demokracisë. Shtresa e të pasurve është bërë jashtëzakonisht e pasur dhe me influencë politike, sot kuvendi numëron 70 {27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të deputetëve nga sfera e biznesit, shumica e popullsisë jetojnë në kushte optimale, papunësia ka qenë vazhdimisht në nivel të lartë dhe pagat më së shumti janë nën nivelin minimal ndërsa niveli minimal i tyre është në proporcion të zhdrejtë me kapitalin e nevojshëm për përballimin e shpenzimeve jetike. “Organet e pushtetit mbrojnë shumicën dhe jo pakicën, prandaj quhet demokraci”.[2] Në rastin e demokracisë sonë shumica është shtresa më e pambrojtur dhe rrezikon më shumë se shtresat e tjera në të gjitha aspektet e jetës sociale.
Argumenti më i fuqishëm i kësaj është ekzistenca e korrupsionit i cili shtrohet në mënyrë hierarkike dhe dëshmon iluzionin e zotërimit të një rendi demokratik. Fakti që shtresat e varfra të cilat përfaqësojnë shumicën korruptojnë institucionet e shtetit dhe nëpunësit e administratës për të përfituar tagre të cilat shteti ua garanton nëpërmjet ligjit, por ndërkohë ua mohon de facto, pasqyron dështimin çerek-shekullor në synimet për të pasur një shtet demokratik, sepse demokracia mbi të gjitha nuk është kuptuar thelbësisht para se ta donin shqiptarët atë. Por edhe nëse do e kishin kuptuar qysh në fillim, më parë do ju duhej të skiconin karakterin e njeriut demokratik të cilin do përpiqeshin ta lëvronin tek vetja dhe ta edukonin në bankat e shkollave për fëmijët e tyre, më pas duhej menduar për sistemin politik. Patologjitë e panumërta të disfunksionimit politik, e rrjedhimisht, apo anasjelltas, të tërësisë së ndërveprimeve sociale, nuk kishin si të mos ndikonin edhe raportin e shoqërisë me vizionin e të menduarit dhe të artikulimit të aktit politik. Pjesa me e madhe e shtresës së intelektualëve të vendit ishin shndërruar, depersonalizuar dhe ç’humanizuar deri në nivele të skajshme. Stadet e indoktrinimit, burokratzimit dhe teknicitetit në të cilin kishin përfunduar këto elita iu kishin mohuar cilësinë bazë të reflektimit dhe objektivitetit logjik në arsyetimin e ideve dhe aktualitetit.
Kësisoj kuptimi i natyrës së vërtetë të demokracisë dhe ndërlikimeve që e pasojnë zbatimin e saj në një shoqëri shfaqet tejet i largët në rrethet e intelektualëve, madje shumë më i largët tek grupet e politikanëve. Pak-kush prej tyre mund të ketë kuptuar se demokracia në perspektivën e saj, me anë të së cilës përcakton mendim të saktë e të drejtë mendimin e shumicës, e përjashton praninë e një lirie intelektuale pasi kjo liri nuk është fryt i logjikës së turmave. Mënyra se si mendon turma dhe gjithë përfaqësimi i mendimit të saj nuk përkojnë me intelektin e lirë, kjo mungesë është pasojë e inkoherencës së mendimit filozofik i cili e zbulon dhe e përkrah sistemin demokratik.
Ajo që ka ndodhur në këto vite të demokracisë është shumë paradoksale sepse shumica e shoqërisë nuk ka qenë dhe ende nuk është sunduesja e politikës, porse në pushtet ka qenë dhe është e njëjta kleptomani e cila u instalua në fillim të viteve 90’, një rreth politikanësh që qëndron në krye të hierariksë së pushtetit politik ndërkohë që nuk posedon intelekt më të lartë se shumica ndaj të cilës e ushtron pushtetin. Elita politike identifikohet kudo me shtresën e lartë ekonomike, njerëz që kanë lidhje me biznesin, me doganat, trafiqet, mafien dhe të karakterizuar me elementin e ‘miqësisë’ në proceset e detyrës dhe ndërveprimet që ua mundëson posti. Kjo atmosferë shfaqet e zymtë dhe përgjithësisht e pashpresë për subjektin kyç të demokracisë, shumicën, por ndoshta ky realitet është formësuar për shkak se “elita e vërtetë, nuk mund të jetë asgjë tjetër pos asaj intelektuale; kjo shpjegon pse “demokracia” ka mundësi të vendoset vetëm aty ku ka pushuar të ekzistojë intelektualiteti”.[3] Shoqëritë të cilat ndodhen në të tilla kushte nuk mund të kenë formë më të manipulueshme për t’u kontrolluar se ideja e demokracisë, ideja e vet-ushtrimit të pushtetit nga populli dhe përmbushjes së interesave të tij.
Politikë fasadash dhe gjurmë totalitare
Politika e cila vendos status quo fiktive që pasqyrojnë sundim të rremë të shumicës dhe bllokon dendësisht reflektimin e individëve të shoqërisë së saj ndaj të tilla manipulimeve logjike shndërron në veçanti vetëdijet e aktorëve socialë. Rrjedhimisht krijohen vetëdije që angazhohen vazhdimisht me konstruksionet imagjinare të botëve më vetë ku gjithsecili anëtar i shoqërisë sheh të pasqyruara përmbushjet e dëshirave dhe interesave të tij duke i justifikuar nën autoritetin e subjektit politik që përfaqëson, pra të shumicës. Në rendjen për të zbatuar politika demokratike individët e shoqërisë së këtij sistemi artikulojnë kërkesa për interesa personale të llojllojshme, herë si nevoja elementare dhe herë si të drejta të mohuara, porse llojet e kërkesave janë të kundërta në përmasa të konsiderueshme dhe interesat e një grupi – i cili është pjesë e një tërësie grupesh me interesa të veçantë – formojnë grupe me interesa të ndryshme të cilët i dallon nga oligarkia e pushtetit vetëm mungesa e tagreve dhe statuseve të saj.
Kjo situatë prodhon akt politik prej të cilit synohet të realizohet qëllimi i demokracisë, mbrojtja e interesit të shumicës, por kjo shumicë nuk arrin të ndikojë në përmbushjen e kërkesave të saj për shkak se nuk i posedon mjetet sunduese që zotëron elita udhëheqëse dhe e cila me anë të mekanizmave të pushtetit, të ekonomisë dhe të ruajtjes së status quosë ia mohon ato të drejta, ndërkohë mohimi i tillë është i legjitimuar, e në mos qoftë i tillë në rrjedhën kohore të aktit politik, ai është i legjitimueshëm në çdo moment që e kërkon interesi i parisë.
Nëse demokracia përgjatë 25 viteve të aplikimit të saj në sundimin politik të vendit tonë e ka realizuar minimalisht qëllimin e vet për garantim të të drejtave të shumicës dhe ruajtje të interesave dhe vullnetit të saj, në aktualitetin tonë ndeshemi me një gjendje në të cilën de-facto në pushtet totalitarizmi ka shtrirë sundimin e tij ose më së paku, në territore më të rëndësishme të socialitetit janë shtrirë fenomenet dhe efektet e mendësisë së tij. “Totalitarizmi në pushtet i atomizon dhe i izolon njerëzit, dhe kjo i duhet atij për t’i mbajtur nën zgjedhë; për këtë arsye, ai është, sipas fjalëve të Trockit, një revolucion permanent”.[4] Përmasat e korrupsionit të cilat në Shqipëri kanë pasur rend progresist janë argument i atomizmit të njerëzve dhe i izolimit të tyre sepse fakti që i dobëti, i privuari apo edhe interesaxhiu priren të korruptojnë dhe shfaqen të korruptuar tregon të vërtetën se besimi tek institucionet është konvencion i pastër; tregon gjithashtu zhbërjen e vlerave minimale të moralit dhe të funksionalitetit të bashkëveprimit social, dhe mbi të gjitha tregon bindjen dogmatike se: mundësia për të kryer akte, procese dhe veprimtari me anë të të cilave të arrihet realizimi i të drejtave si qytetar i një vendi demokratik buron nga një sundim centripetal i cili e shtrin pushtetin e tij prej së larti dhe në formë hierarkie e shpërndan në të gjitha instancat institucionale vijuese duke iu përcaktuar njëkohësisht edhe tagrin e kornizimit të korruptimit si edhe të benefitit që e pason shfrytëzimi i këtyre tagreve. Prandaj në mënyrë të pandërprerë në shoqërinë tonë është forcuar tejmase bindja se ‘sa më të fortë ta kesh mikun aq më shumë punë bën’ apo edhe lloje të ngjashme të të shprehurit publik që përshkruajnë raportin e komunitetit me këtë fenomen.
Ky rast i ‘mbirjes’ së totalitarizmit apo tipareve me efekte të tij në real-politikën e sotme shqiptare ka anuluar mënyrën e zbatimit të totalitarizmit nëpërmjet forcës, dhunës dhe presionit politik duke e zëvendësuar me totalitarizëm të zbutur, dinak, manipulues dhe zhbërës të ngadalshëm të qëllimeve demokratike për të arritur realizimin e kërkesave për të drejta politike e sociale. Diskutimi se është apo jo totalitarizëm i mirëfilltë nuk është i vlefshëm sepse si i tillë e humbi identitetin me rrëzimin e komunizmit dhe ajo që shfaqet sot ka të bëjë me shtrirjen e efekteve të tij në aspekte kryesore të jetës sonë duke instrumentalizuar kastën politike që është e formatuar mirëfilltë me tipare totalitare, por edhe me anë të hegjemonisë që është krijuar në institucione të rëndësishme të vendit duke nisur që nga universitete dhe deri tek institucionet shtetërore si gjykata, prokurori, bashki etj.
Këto tipare totalitare janë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen edhe tek ligjërimet e politikanëve tanë për të theksuar edhe më shumë gjurmët e mëdha që ka lënë ai sistem në mënyrën e të menduarit politik në vendin tonë. “Shqipëria është një vend që vjen nga një regjim ekstremisht totalitar dhe nuk është e habitshme të gjesh ende gjurmë totalitarizmi, por rasti i mënyrës sesi e ka ndërtuar veprimin dhe ligjërimin kryeministri Edi Rama nuk duket se kemi të bëjmë thjesht me gjurmë. Kryeministri shqiptar[5] mban fjalime çdo ditë, ka raste kur ka më shumë se një fjalim në ditë. Fjalimet e tij janë shumë të gjata dhe kanë formën e një monologu”.[6] Shfaqje të tilla të herëpashershme në ligjërimet e politikanëve tanë dëshmojnë se sado e largët të jetë shija e një regjimi të egër diktatorial përsëri efektet e tij do zgjasin me dekada nëse nuk reagohet kolektivisht për shndërrime thelbësore të trajtave të mendimit dhe organizimit politik. Fenomeni që ndoshta ka prodhuar më shumë efekte në këto vite të demokracisë në Shqipërisë me shumë gjasa duhet të jetë narrativa e cila transmetohet vazhdimisht në ligjërim edhe media dhe pasqyron fasadën ideale të ushtrimit të pushtetit nga vetë populli dhe të mitit se gjërat zhvillohen çdo ditë në favor të dialektikës që garanton tërësinë e interesave të shumicës. Ndërsa përtej fasadës nuk konstatojmë më shumë se zhvillime në kushtet e kaosit dhe anarkisë institucionale.
Konflikt social destruktiv
Konflikti konstruktiv, si tipar themelor i vendeve të zhvilluara, në rastin e demokracisë shqiptare nuk e ka realizuar ende formën e tij të mirëfilltë. Ligjërimi politik nuk përmban teza dialektike të mirëfillta të cilat t’iu kundërvihen të kundërtave të tyre, ndërkohë ajo që konstatohet përgjithësisht përkon në përshkrime triumfaliste me doza manipuluese të gjendjes sociale nga ana e politikanëve të qeverisë apo edhe me përshkrime alarmante me nuanca fataliste nga ana e opozitarëve. Konflikti social i sotëm nuk prodhon rritje paralele të shtresave të cilat përfaqësojnë subjektet e konfliktit, ai është vetëm mekanizmi i zhvillimit të pacak të kleptomanisë e cila na udhëheq, çdokush i cili merr inisiativën e krijimit të një antiteze të fuqishme që do neutralizonte potencialet rezulton i infektuar prej kompromosit me sunduesit në një prej stadeve të hierarkisë së saj.
Favorizimi i dobisë së përgjithshme ose publike në rrjedhën e një konflikti është i mundur vetëm nëse kjo dobi është prioritare mbi të gjitha raportet e tjera në të cilët janë të ndërlidhur subjektet e konfliktit. Ndërkohë që ky lloj favorizimi është i mundshëm vetëm nëse sunduesit politikë karakterizohen nga disa virtyte bazë. “Kur njerëzit e çlirojnë veten prej gjithë lakmisë së vullnetit egoist, gjë që pa fenë është krejt e pamundur ta arrijnë; kur janë të vetëdijshëm se po ushtrojnë – dhe e ushtrojnë ndoshta në shkallën më të lartë të delegimit – pushtetin për të qenë i ligjshëm, duhet të jetë në përputhje me atë ligj të përjetshëm e të pandryshueshëm sipas të cilit vullneti dhe arsyeja janë e njëjta gjë, ata do të tregojnë më shumë kujdes për të mos e lënë pushtetin në duar të ulëta e të paafta”.[7]
Realiteti i demokracisë shqiptare u shoqërua me ardhjen në pushtet të njerëzve të cilët e kishin luftuar virtytin e legjitimuar nga trashednenca tradicionale. Konflikti që gjenerohet nga ky tip politikanësh është në thelb destruktiv dhe armiqësor. Ai ngjason hera-herës me rendin imagjinar hobsian të luftës për mbijetesë. Si i tillë rezulton të jetë shumë larg qëllimit për të formuar standarde drejtësie, meritokracie dhe mirëqenie. Duke rendur në të kundërt të zhvillimeve pozitive për shoqërinë ai prodhon efektet e kundërta të elementëve të sipërpërmendur, ose më saktë i prodhon efektet e tilla tek subjekti më i rëndësishëm i demokracisë, shumica. Ndoshta ky realitet është prodhuar edhe për vetë faktin se parimet ideologjike dhe morale të liberalizmit politik – pjesë integrale e të cili është edhe demokracia – në vetvete janë shumë të diskutueshme, të paqëndrueshme dhe të transformueshme, fakt i cili i hap rrugën justifikimit, mjetit më bjerrës të zhbërjes legjitime të së mirës publike. Përfaqësuesit e rendit demokratik në këto vite të zbatimi të saj në Shqipëri më së shumti kanë ecur me besimin se “moraliteti i pastër nuk ka vend në politikë, në qoftë se aty kanë rëndësi rrjedhimet konkrete të veprimit; politikanit nuk i mjaftojnë bindjet e drejta, por duhet të ketë vetëdijen e kufizimeve të mundësive dhe të efekteve anësore. Kjo kërkon gjykim dhe ndjenjë mase. Politika bëhet me kokë, jo me pjesë të tjera të trupit ose me shpirt (M. Weber)”.[8] Pleksjet e prodhuara nga ndërlikimet historike dhe sociale të përcaktuara nga pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë e kanë sjellë sundimin në një gjendje tek e cila rendi shpirtëror, human apo moral të planifikohet tek elementët fundorë të politikës, ose më saktë të jetë i paplanifikuar dhe të rrugëtojë në kushtet e rreziqeve të shumta në një realitet dukshëm materialist.
Në një rend tek i cili udhëheqin armiqtë e tij më të betuar (komunistët dhe pas-ardhësit e tyre në kontekstin shqiptar) dhe i cili më shumë se gjithçka është terren i projektimit dhe zhvillimit të ideve të huaja të cilat artikulohen si shprehje e investimeve për zhvillim, bamirësi dhe miqësi, ideali i demokracisë në pjesën e tij më të madhe mbetet iluzion dhe stimulues i mbijetesës së shumicës së shoqërisë sonë. Faktorët bazë të cilët kanë hapësirat e konkretizimit të qëllimeve nuk janë anëtarët pa pushtet të popullsisë që sipas idesë së demokracisë duhet të jenë edhe burim i sundimit, por këta faktorë janë fuqitë e mëdha të cilat kanë marrëveshje me shtetin shqiptar përkundrejt imponimit të veprimit politik në çështje të rëndësishme të saj, investuesit e bamirësisë të identifikuara nga interesa dhe qëllime të lloj-llojshme prej shumë subjekteve perëndimorë dhe lindorë si edhe elitat sunduese të cilat më shumë se elita demokracie ngjajnë si oligarkë.
______________________________________________________________________________________________________
[1] Spinoza, Etika, f. 264.
[2] Ralf Dahrendorf, Konflikti shoqëror modern, f. 52.
[3] Rène Guenon, Kriza e botës bashkëkohore, f.54.
[4] Dahrendorf, vep. e cit., f.52
[5] Stili i kryeminstrit Rama është më shumë se deklamativ dhe tonet e fushatës shoqërojnë gjithandej ligjërimin e tij. Ai vazhdimisht thotë: “ne për herë të parë rritëm buxhetin, për herë të parë po rrisnim punësimin, për herë të parë ka rënë numri i aksidenteve, për herë të parë ka ilaçe në spitale, për herë të parë po bëhet harta e pronave, për herë të parë policia është kthyer në krye të detyrës etj etj”. Fjalimet e tij janë me tone triumfaliste, me ekzagjerim të rezultateve dhe me përgjithësime pa fund duke dëmtuar logjikën. Ai thotë: “ne po i japim fund një administrate tatimore gjobvënëse, varrmihëse të biznesit dhe pasuruese të familjes”, “në tetë vjet nuk legalizuan asnjë ndërtim, nuk lanë rrugë pa lënë rrugëve, nuk lanë shqiptar pa vjedhur”etj. Pra që të gjitha përgjithësime në dëm të logjikës. Sa për kriticizmin e lartë nuk ka nevojë të përmendet si tipar i ligjërimit të kryeministrit Rama.
[6] Fitim Zekthi, E vërteta totalitare në ligjërimin e Edi Ramës, Gazeta Panorama, 5.11.2014.
[7] Edmund Burke, Refleksione për Revolucionin francez, f. 138.
[8] Dahrendorf, vep. e cit., f. 87.