Besar Likmeta
Tony Blair prin, Cherie [e shoqja] e ndjek. Zonja Blair ka fituar një kontratë ligjore të majme me qeverinë shqiptare, pak më shumë se një vit që bashkëshorti i saj filloi të punojë si këshilltar zyrtar i saj. Firma e saj ligjore, Omnia Strategy, është caktuar të veprojë në emër të Shqipërisë për një mosmarrëveshje ligjore 250 milionë sterlina. Zoti Blair është këshilltar zyrtar i qeverisë, dhe ka nxitur thirrjet e deputetëve për më shumë transparencë në marrëveshjet e vendit me familjen Blair.
Marrëveshja në Shqipëri pason shpërblimin e zonjës Blair me një kontratë nga qeveria e Kazakistanit, ku bashkëshorti i saj është gjithashtu një këshilltar zyrtar, me pagesë, i presidentit autokratik Nursultan Nazarbayev. Nuk është e qartë sa do të paguhet zonja Blair, por nëse po është aq e majme sa marrëveshja kazake, ajo do të jetë e kënaqur.
Omnia Strategy, siç ka zbuluar më herët The Telegraph, u pagua thuajse 400 mijë sterlina për punën e saj gjashtë mujore në rishikimin e “marrëveshjeve bilaterale të investimeve”. Zonja Blair, e njohur si juriste për të drejtat e njeriut, i mori qeverisë kazake 975 sterlina në orë. Normalisht ajo kërkon 1150 sterlina në orë, por për taksapaguesit kazakë i ofroi shërbimet e saj me një normë të reduktuar.
Mosmarrëveshja ligjore në Shqipëri pason një vendim nga qeveria socialiste për të prishur një kontratë deri në 250 milionë me një kompani amerikanë për të ndërtuar dhe operuar skanera specialë në kufijtë e saj ndërkombëtarë.
Rapiscan Systems, e vendosur në Redhill, Surrey, fitoi një kontratë 15-vjeçare në prill 2013 në një përpjekje nga Shqipëria për të shtrënguar kontrollin në doganat e saj dhe për të luftuar kontrabandën e armëve, drogës dhe duhanit, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria preson të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe për këtë ka nevojë të forcojë kontrollin në kufijtë e saj.
Por kontrata u prish pas zgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër, në shtator 2013. zoti Rama, mik i zotit Blair, e caktoi këtë si këshilltar. Marrëveshja mes tyre u bë gjatë takimi të tyre në Londër para zgjedhjeve. Zoti Blair është një figurë popullore në Shqipëri për shkak të rolit të tij në Kosovë, e banuar nga shqiptarë etnikë, e cila por luftonte për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Rapiscan filloi veprimet ligjore kundër Shqipërisë gushtin e kaluar, duke e paditur atë për 250 milionë sterlina. Shqipëria kërkoi një firmë ligjore për ta mbrojtur, dhe, pas një tenderi në tetorin e kaluar, i dha atë Omnia-s. Dhënia e kontratës zonjës Blair ka ngritur dyshime në Shqipëri, ndërkohë që zoti Blair është kaq shumë i afërt me Shqipërinë.
Genc Pollo, deputet i opozitës dhe ish-ministër, tha: “Toni Blair […] është një figurë e respektuar në Shqipëri veçanërisht për rolin e tij në ndërhyrjen në Kosovë. Por marrëveshjet e tanishme me qeverinë Rama… janë shqetësuese sepse nuk ka transparencë dhe përfitim real për Shqipërinë.”
Florjon Mima, një tjetër deputet i PD dhe ish-ministër, tha: “Jam shumë i habitur që firmës së bashkëshortes së ish-kryeministrit Tony Blair i është dhënë një kontratë për shërbime ligjore në emër të qeverisë shqiptare, ndërsa […] bashkëshorti i saj është publikisht i njohur si këshilltar i qeverisë shqiptare dhe një mik personal i kryeministrit shqiptar”.
Kjo nuk është hera e parë që firma Omnia Strategy është punësuar në Shqipëri. Asaj i është dhënë një kontratë 300 mijë sterlina në fundit të vitit 2012, për të këshilluar qeverinë e atëhershme shqiptare në një mosmarrëveshje nafte një miliardë dollarësh me një firmë amerikane energjie. Harxhimet ligjore të Shqipërisë në atë rast ishin pak më shumë se 300 mijë sterlina. Nuk dihet sasia e parave nga kjo shumë që iu dha Omnia Strategy për punën e saj.
Zonja Blair mendohet të ketë vizituar Shqipërinë më 2010 e ftuar nga Liri Berisha, gruaja e kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Zonja Blair dhe zonja Berisha u bënë mikesha kur bashkëshorti i saj [Tony Blair] ishte ende kryeministër. Zonja Blair fluturoi drejt vendit të varfër me një avion privat të Rezart Taçit, një pronar nafte kontroversal, dhe një njerëzit më të pasur në Shqipëri.
Shqipëria është një nga një numër vendesh që i këshillon zoti Blair, përmes kompanisë së tij, Tony Blair Associates, të cilën e krijuar pasi u largua nga detyra si kryeministër më 2007. Zoti Blair ka marrëveshje të majme me Kazakistanin, Brazilin, Emiratet e Bashkuara dhe Mongolinë mes të tjerave.
Zoti Blair ka këmbëngulur se taksapaguesi shqiptar nuk e financon ekipin e tij në Tiranë, megjithëse nuk është e qartë kush paguan për këshilltarët e tij në terren, midis tyre dhe nipi i Alastair Campbell, ish shefi i propagandës i zotit Blair.
Julia Yun Hulme, drejtoresha e menaxhimit të firmës Omnia, nuk pranoi ta thotë vlerën e kontratës ligjore për kompaninë. Ajo nuk pranoi as të thoshte nëse firma kishte fituar apo jo kontrata në vende të tjera që këshillohen nga zoti Blair. Ajo tha në deklaratë: “Omnia Strategy LLP është një firmë ligjore e rregulluar nga Autoriteti i Rregullator i Avokatëve. Zoti Blair nuk përfshihet me Omnia Strategy LLP”. Rapiscan nuk pranoi të komentonte.
The Daily Telegraph
* titulli redaksional