Owen Gibson
The Guardian
Komiteti disiplinor i pavarur, pasi pa gjithë evidencën e paraqitur nga Serbia dhe Shqipëria, vendosi të premten t’i përbaltë të dyja palët. Serbisë iu dha fitorja 3-0 për braktisje fushe, por tre pikët iu hoqën, të dyja vendet u dënuan me 100 mijë euro gjobë dhe Serbia do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, kundër Danimarkës më 14 nëntor dhe Armenisë më 4 shtator vitin tjetër, pa tifozë.
Në mungesë të fakteve kush e hodhi fluturaken në stadium, vendimi i komisionit duket i ashpër ndaj Shqipërisë – që nuk fiton asnjë pikë nga ndeshja dhe me tre gola disavantazh. Vendimi do të thotë që Shqipëria, e cila e filloi fushatën me një fitore shokuese 1-0 ndaj Portugalisë, ka katër pikë pas tre ndeshjesh dhe Serbia një pikë pas dy ndeshjesh. Danimarka 4, Portugalia 3 dhe Armenia 1.
Dihet që në kësi procesesh quasi-gjyqësore palët e paraqesin çështjen e tyre në mënyrë agresive në pamjen më të mirë. Por akuzat serbe në stilin e Ministrisë së të Vërtetës (referencë nga romani i Orwell-it, 1984), e cila e akuzoi federatën shqiptare për organizmin e incidentit me fluturaken si pjesë e një “veprimi terrorist” të paramenduar, anonte nga qesharakja.
Të gjithë që ishin aty kanë folur për një atmosferë të tejet të tensionuar mes një turme të karikuar me doza nacionaliste që e nxiti takimi i parë me Shqipërinë që nga 1967. E organizuar pas tensioneve të gjata me Kosovën, ndeshja gjithmonë kishte për të qenë e acaruar. Tensionet e Kosovës shpërthyen në luftë më 1998 që u ndal vetëm pas sulmeve të NATO-s një vit më pas, por pasi 10 mijë vetë humbën jetën.
Pavarësisht mungesës e tifozëve shqiptarë, atmosfera nuk u ndihmua nga operacioni i sigurisë i cili, sipas dëshmitarëve në ngjarje, ishte tmerrësisht i pamjaftueshëm. Gurë, çakmakë, fishekzjarrë, copa betoni dhe objekte të tjera – FSHF pretendon se në shkallë ishte futur dhe një fuçi – gjetën rrugën e tyre drejt fushës, të drejtuara për te lojtarët shqiptarë.
Banderola në nderim të kriminelëve të luftës u shfaqën hapur dhe mes këngëve që dëgjoheshin nga shkallët ishin “Vriti, vriti, vriti shqiptarët” dhe “Digji, digji të gjallë deri sa të mos mbeten më.” Shfaqja e huliganit famëkeq Ivan Bogdanov mes turmës dukej simbolikisht domethënëse për mungesën e dëshirës ose paaftësi të autoriteteve serbe për të mbrojtur ndeshjen dhe një kujtim i lidhjeve të ngushta të ultrasve të Beogradit me fushatën vrastare të Arkanit në Ballkan gjatë viteve 90.
Kur nisi vala e dhunës në vigjilje të incidentit të fluturakes – me rojet e fushës, tifozët dhe (dyshohet) policët duke qëlluar lojtarët shqiptarë ndërsa ata vraponin të dilnin nga fusha, të mbrojtur nga kolegët serbë – zjarri kishte pasur nevojë vetëm për një shkëndijë.
S’ka shumë dyshime që fluturakja surreale dhe ngarkesa e tij fyese e ofruan atë shkëndijë. Por, pavarësisht dyshimeve tona (dhe UEFA-s) se ajo u hodh nga shqiptarët, pa prova është e vështirë t’i ndëshkosh ata për këtë. Çmontimi i rrjetit të pretendimeve dhe kundër-pretendimeve në raste të tilla nuk është kurrë i lehtë, por nuk është hera e parë që UEFA rrëzohet.
FSHF pretendon se deri në gjashtë lojtarë ishin dëmtuar aq keq saqë e kishin të pamundur të vazhdonin. Serbët thonë që ata ishin dakord që ndeshja të zhvillohej më vonë atë javë, në stadium pa tifozë. Shqiptarët pretendojnë se një kërkesë e tillë nuk u bë kurrë, por, pavarësisht kësaj, lojtarët kishin angazhime me klubet e tyre.
S’ka dyshim që të dyja palët ishin përgjegjëse, por, ndërsa Serbia do të humbasë financiarisht nga dy ndeshjet pa tifozë, Shqipëria mori dënimin sportiv më të rëndë.
Shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar për Euro 2016 kanë marrë një goditje. Po sikur Serbia të kualifikohet para tyre me epërsi golash? Më kryesorja, çfarë do të bëjë UEFA për ndeshjen e kthimit në Shqipëri pas 12 muajsh?
Lista e akuzave ndaj Serbisë po bëhet shumë e gjatë. Katër vjet më parë, një ndeshje kualifikimi për Euro 2012 me Italinë u ndërpre pas skenave të dhunës. Ka pasur rregullisht incidente ku janë përfshirë klubet serbe në ndeshjet evropiane dhe në dhejtor 1012 ndeshja e Anglisë U21 përfundoi në kaos, me lojtarët që u sulmuan në fushë mes akuzave për racizëm.
Dy ndeshje pa tifozë nuk mund ta zgjidhin problemin, veçanërisht kur serbët vazhdojnë në pozicion mohues me agresivitet. Të dyja palët do të apelojnë.
Javën e kaluar u projektua nga UEFA “java e aksionit kundër racizmit”, rikujtesa më e fundit që reklamat në televizone, në bluza dhe fjalët e ngrohta janë shumë të mira. Por derisa ato nuk shoqërohen me vendime koherente nga UEFA, ato nuk do të arrijnë shumë.