Mediavulg
Një ndër analistët panoramikë, i zbuluar rishtazi altoparlant i PD-së me kredenciale politologjie, performoi së fundmi me një rapsodi për ambasadorin Donald Lu, nga ata që pozicionohen diku mes vargjeve të “Enver Hoxha tungjatjeta” dhe lutjes përpara gjumit:
“Shkëlqesi Donald Lu, me fuqinë që të jep Amerika, mos na braktis në fatin tonë të errët që na ka mbështjellë si dhimbje tragjike qysh prej vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe edhe pas votimit në parlament. Mjeshtëria për t’ia gjetur dermanin çdo reforme është e frikshme. Ato (reformat) shpesh kanë vrarë veten nga depresioni”.
Bëhet fjalë për atë “Shkëlqesi” që një vit më parë përcillte kështu përjashtimin e Tom Doshit nga PS-ja:
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet”.
Bëhet fjalë për të njëjtin analist që për rastin Doshi shkruante:
“Tom Doshi nuk më rezulton një individ as shoqëror, as politik rastësor, meqenëse kam qëlluar i apasionuar pas historisë. Personazhet e “Lahutës së Malcis’”, luftëtarë të pavarësisë kombëtare […] janë të familjes së tij. […] heronj pa ndoshta e sikur të rezistencës antikomuniste, janë po të rrethit të tij familjar. Këtu mbase duhet kërkuar edhe mbështetja që ka pasur Tom Doshi gjatë këtyre viteve, te simbolika e familjes […] (E di këtë kontekst, sepse edhe vetë origjinën e kam nga Malësia e Madhe, një zonë që nuk njihet për kompromise amorale, qëndresa është karakteristike e saj). […] Toma “gjykohet” pa votim me një fjalim për fajin e vetëm se “ka futur armët në kishën” e Partisë Socialiste, kështu po thonë edhe kolegët e tij me një të shkelur syri”.
S’ka faj. Është koha e sklerozës kolektive. Të gjithë timonierët tanë, nga artistë, rektorë, politikanë, kryebashkiakë e opinionistë, duket se kanë harruar ç’kanë bërë në të shkuarën, ç’kanë vjellë për njeri-tjetrin ose për ata të cilët aktualisht i lëpihen, ndërsa nuk harrojnë përralla me Eposin e shek. XV dhe qëndresat legjendare, të cilat, megjithatë, kanë prodhuar sot këto soj burrash.
Nëse vlen shndërrimi i Lu-së në ndërmjetësin hyjnor për shpëtimin e shqiptarëve, ditëzinj që nga koha e Gjergj Kastriotit (se më përpara i paskemi pasur punët për vijë), duhet të vlejnë edhe mësimet e këtij udhërrëfyesi amerikan, dhe pikësëpari në lidhje me personazhe si ky i porsacituari, të dokumentuar për rrjetin kriminal nga kabllogramet e paraardhësit John Withers. Pikërisht për të shmangur njerëz të tillë nga Res Publica ambasadori Lu viziton sa një seli partie në një tjetër. Në fakt, fatin “tonë të errët që na ka mbështjellë si dhimbje tragjike qysh prej vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe” nuk e ndryshon as Lu-ja e as lu-tja, por zhveshja e krimit nga pushteti politik dhe zhveshja e këtyre elitave, të cilat herë dekretojnë shenjtërimin e ambasadorit e herë përdorin historinë si pluhur larës për fytyrën e të Keqes, nga pushteti i përfaqësisë mediatike të partive politike, në rastin konkret të PD-së. Kjo e fundit nëse vërtet synon të mos transformohet në një shoqatë, atëherë i duhet të sforcohet të gjeje njerëz me integritet, jo kokrra që shesin dokrra për të bërë pastaj karrierën e premtuar.