Ecejaket e fundit të Tom Doshit në sallonet e pushtetit u shoqëruan me lloj-lloj komentesh gazetareske, që e kalibruan fokusin nga shkëmbimi i disa komplimenteve me Erojn Braçen (këtu vështirë se ia konteston njeri Doshit), te takimi me Gramoz Ruçin, deklaratat e Ilir Metës, dalja e Durim Bamit serish në skenë, e deri te kronika e modës ku Doshit i komentohen syzet si të njëjta me markën që përdor kryeministri maqedonas Gruevski (shpresojmë të mos ketë zgjatime deri te kostumi i plazhit). Përtej kronikës polikromike, mavi, kuq, rozë e sterrë të zezë, që kjo ngjarje ka ushqyer prej muajsh, shumë pak rëndësi iu kushtua arsyeve të përpjekjes së riciklimit të një deputeti deri dje kyç, më vonë në qendër të telenovelës së pushtetit të kapur nga mafia, e vazhduar me disa goditje bishti nga akuzuesi i gjunjëzuar (prej një pushteti më të fortë), i cili ndonëse pohoi se do të kandidonte në 61 bashki u pa vetëm në Vaun e Dejës. Por ndryshe nga shfaqjet e mrekullueshme, të cilat kanë shpjegime trashendente, ajo e Doshit ka prapavijë të pastër interesash të biznesit politik, megjithëse koklavitja nuk mundëson një shpjegim shterues, që besojmë është më se normale për kalibrin e të përlyerve dhe për kulturën tonë në mbrojtjen e publikes, pasi dihet se jemi një vend ku edhe atëherë kur tjetrit i dokumentohet vjedhja me video të gjithë bindemi se e ka fajin ekrani.
Mënjanimi i deputetit u krye me një ceremoni pa zhurmë, pa ankesat e mjaftueshme nga vetë i përjashtuari, pa akuza të ndërsjella mes tij dhe Ramës, ndërkohë që e tërë hungërima e Doshit shkoi drejt Metës e të tijve. Aleatët e pushtetit gjetën një zëvendësuese të Doshit në Shkodër, Keti Bazhdarin. Ajo përfaqëson(te) një mënyrë alternative të të bërit politikë, me një taban qytetar, dinamizëm rinor, biznese të panjollosura nga krimi i organizuar dhe mbi të gjitha e pashoqëruar në mënyrë permanente nga ndërmjetësit mes të ligjshmes e të paligjshmes (shoferi, truproja, nipat, kunetërit etj.).
Humbja e saj ishte edhe Ramës, por jo e Metës, i cili përkundrazi arriti t’ia kalonte aleatit në numrin e këshilltarëve në bashkinë e Shkodrës (11 me 10). Megjithëse Rama e mënjanoi Doshin edhe për t’ia lehtësuar barrën e imazhit publik aleatit Meta, si dhe preferoi një kandidate ndryshe nga modeli i banditizmit të angazhuar vetëm dy vite më parë, makina e vënë në lëvizje nga Meta, jo vetëm që e përforcoi modelin e mënjanuar nga Rama, por veproi tërësisht në favorin e vet e jo të koalicionit. Ndryshe nuk shpjegohet se si një parti margjinale në Shkodër mund të kalonte një PS gati të barabartë me PD-në (e zgjedhjeve politike).
Se sa Rama do të jetë në gjendje për t’iu imponuar aleatit në biznesin e pushtetit kjo mbetet t’u parë. Konkurrenca nuk zgjidhet vetëm me kontrollin në qendër. Ajo kërkon edhe dominim rajonal. Rama do ta ketë të pamundur animin nga modeli i politik-bërjes (më) qytetare në këtë rajon, ndërkohë që aleati i tij, në dukje mbështetës i këtij modeli, është magneti kontraktues i të gjithë atyre që garantojnë vota me forcë.
Rama ka tre alternativa: ta detyrojë aleatin, që mediat e paraqitën si viktimë pazaresh të PS-së (gati për ta mëshiruar), të luajë me të njëjtat rregulla; të braktisë ca zona në këmbim të ca të tjerave; t’i rikthehet modelit-Doshi, si barrierë e LSI-së dhe si erozion i mëtejshëm i PD-së, pra si e vetmja garanci e PS-së në këtë rajon, siç ka vepruar në disa rajone të tjera (Malësia e Madhe, Kruja, Kavaja etj). Kjo e fundit, praktikë e quajtur bizantiniste, i siguron PS-së ekuilibër forcash. Përndryshe, Meta rrezikon t’ia përvetësojë aleatit edhe rezervuarin e siguruar në zgjedhjet politike të 2013 falë modelit-Doshi. Sigurisht që në rastin kur i ftohti luftohet me të ftohtë duhet menduar edhe ilaçi ndaj këtij të dytit. Në sintezë kjo është arsyeja më e mundshme e riciklimit të Doshit.
Gjithashtu, mbetet për t’u parë se sa PD-ja e atij rajoni, e cila e ka vendosur modelin-Doshi diku në papafingo, do t’i rezistojë joshjes për t’iu përgjigjur me të njëjtën monedhë. Për fatin e keq nuk i kanë mbetur shumë alternativa për të zgjedhur, nëse nuk do që të kthehet në shoqatë e më pas në një klub dashamirësish të gjuetisë apo peshkimit, me nostalgjinë e së kaluarës. Zgjedhjet e fundit treguan se legjitimitet mund të ketë edhe një i akuzuar për krime ose i dënuar për to, me gjithë kontestimet e ambasadave më të rëndësishme në vend, me gjithë serenatën mediatike të ndonjë rrogëtari gazetash perëndimore mbi kërpudhat artistike të Kryeministrit, që praktikisht për shqiptarët nuk janë as më shumë e as më pak se suposta me ngjyra.
Fati i keq është i qytetarit, i cili vijon trishtueshëm një panoramë të përshkruar nga Alen Ducellier për Shqipërinë e shek. XIII, ku disa krerë qytetesh, disa të tjerë malesh e fushash, zhvatin ç’mund të zhvatet, pjesërisht në aleancë me njëri-tjetrin e pjesërisht në luftë mbijetese, përballë një faktori të jashtëm që i mbështet ose i lufton për interesat e tij, ndërsa turma pret autoritetin e jashtëm të radhës si rregullator të jetesës ose merr rrugën e mërgimit. Që kur “Shqipëria” ka nxjerrë në histori krerë të tillë, prej më se tetëqind vitesh, jemi sërish po aty. Vështirë të ketë popull më koherent në botë.