Zgjedhjet, lokale apo të përgjithshme, shfrytëzohen nga një tufë personash si pretekst të ngjiten në podiume elektorale, të shfaqen në ekrane apo të shkruajnë në gazeta, për të mbrojtur të ashtuquajturën kauzë të barazisë gjinore. Për shumë të tjerë kjo është një paradë periodike e marksistëve të rinj.
Barazia gjinore e pretenduar të realizohet me kuota në listat zgjedhore, bie ndesh me ligjet e Republikës dhe Natyrës.
T’i japësh dikujt – me ligj – të drejtën të kandidojë vetëm për shkak të gjinisë, do të thotë të frenosh nga kandidimi dikë tjetër për të njëjtën arsye: përkatësinë gjinore. Tipari që dikujt (gruas) i konsiderohet përparësi, dikujt tjetër (burrit) i llogaritet defekt. Një ligj që favorizon dikë me pasojë diskriminimin e dikujt tjetër bie ndesh me Nenin 18/1 të Kushtetutës: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.” Një ligj i tillë nuk mund të miratohet pa ndryshuar Kushtetutën dhe pa zhdukur barazinë e qytetarëve përpara ligjit.
Veç kësaj, favorizimi i dikujt për shkak të gjinisë dhe dhunimi i dikujt tjetër për shkak të njëjtës cilësi, është ekuivalent me racizmin (rolin e ngjyrës së lëkurës e luan gjinia). Feministët duhet t’i bëjnë këtë pyetje vetes: A janë pro apo kundër racizmit? Nëse pro, atëherë qëndrimi i tyre bie ndesh me Kushtetutën. Nëse kundër, ata duhet të kenë një shpjegim pse diskriminimi për shkak të lëkurës është, për ta, i papranueshëm, kurse diskriminimi për shkak të gjinisë është, sërish për ta, i pranueshëm. Të dyja këto janë cilësi që njeriu i zotëron jashtë vullnetit të tij.
Në Kushtetutë gjinia dhe raca janë të barasvlershme, Neni 18/2: “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare, a filozofike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.”
Goditja e Kushtetutës – prishja e barazisë para ligjit dhe legalizimi i diskriminimit për shkak të gjinisë – është ftesë publike drejtuar gjithë shoqërisë që të niset në udhëtim drejt territoresh prej të cilave ajo është munduar të arratiset duke krijuar Kushtetutën, duke garantuar barazinë para ligjit, duke ndaluar çdo lloj diskriminimi. Është një ftesë për në botën e kaosit.
Feministët kërkojnë barazi kuotash gjinore vetëm në fusha të caktuara. Ata nuk kërkojnë barazi absolute, sepse kjo do t’u diskreditonte argumentin.
Në emër të barazisë gjinore absolute, feministët mund të kërkojnë një ligj që detyron çdo institucion, çdo kompani, çdo biznes të vogël e të madh, çdo OJF, çdo subjekt që ka administratë apo njerëz të punësuar, çdo gurp njerëzor (përfshi bandat kriminale), që përbërja e tyre të ndahej përgjysmë sipas sekseve.
Më tej, mund të kërkohej barazi gjinore në spital: kuota të barabarta për të sëmurët e shtruar aty. Nga gjinia që është në inferiore në numër duhet të sillet, qoftë dhe duke e infektuar qëllimisht me ndonjë virus, një apo disa të sëmurë, në varësi të numrit të kërkuar, për të plotësuar kuotën gjinore. E, kur dikush të dalë nga spitali, për shkak se është shëruar, atëherë një pacient i gjinisë tjetër duhet të përzihet prej sallës. Barazia, e kërkuar në të gjitha pavijonet, do të kërkonte që gjysma e pacientëve për lindje në maternitet të jenë burra!
Gruaja, që feministët e paraqesin si qenie të diskriminuar, duhet të kërkojë që burri të bëjë jo vetëm gjysmën e punëve të shtëpisë – larje, gatim, pastrim, pazar – por të lindë dhe gjysmën e fëmijëve!
Këtë arsyetim, që mund të ngjajë cinik po nuk është i tillë, mund ta çojmë dhe më tej. Pjesa dërrmuese e popullsisë së burgjeve ka qenë historikisht, e kështu është dhe sot, burra. Për hir të barazisë gjinore duhet të futen në burg një numër i caktuar grash, por që të futen në burg ato duhet të kryejnë një krim. Kush nga gratë do të dilte vullnetare të kryente një krim në emër të barazisë gjinore?!
Ti biem shkurt, barazia gjinore nuk ka qenë kurrë, nuk është, dhe nuk mund të jetë, një kauzë. Ajo është veç një instrument politik, me anë të të cilit, ca njerëz shterpë dhe egoistë kërkojnë të shpikin elektoratin e tyre, ndërsa ca të tjerë të përfitojnë fonde.