Mbyllja e programit “Publicus” është lajmi më i keq për lirinë e fjalës në Shqipëri. I nisur me mjaft pretendime si një vlerë e re për gazetarinë investigative, ky emision ishte një shembull i përkryer i fatit që i duhet të pësojë kushdo që kërkon të thotë të vërtetën në këtë vend. Ai na tregon gjithashtu mbi nivelin e pafytyrësisë me të cilën pushteti inkriminon çdo gjë rreth tij.
Për ditë me rradhë u reklamua zbardhja e një ngjarjeje të hidhur, e cila do na rrëfente sesi një 17 vjeçar u vra e u varros në plehëra në landfillin e Sharrës. Opinioni u mpreh të dëgjonte të vërtetën e trishtë të fatit të njerëzve që shfrytëzohen atje në mënyrën më çnjerëzore, nën përkrahjen e Bashkisë së Tiranës. E kur të gjithë prisnin transmetimin, befas gjithçka pezullohet pa asnjë sqarim. Emisioni në fjalë ndërpritet në javën e tretë të transmetimit të tij dhe ajo që u paraqit me mjaft bujë, u kalua sikur të mos kish ekzistuar fare.
Por ky nuk është një rast sporadik. Pak kohë më parë, për të njëjtën çështje, një drejtoreshë lajmesh u shkarkua nga detyra vetëm pse raportoi ngjarjen. E megjithëse kjo krijoji njëfarë reagimi të opinionit (sigurisht mjaft i dobët në krahasim me rëndësinë e ngjarjes), historia ripërsëritet edhe më shëmtuar. Bashkia ushtron dhunë mbi çdo media që ka kurajën të hedhë sadopak dritë mbi këtë çështje dhe duket se ka fuqinë ta lerë në errësirë një ngjarje kaq tronditëse sa kjo. Bizneset e bashkisë e mbuluan me plehra trupin e pajetë të Arditit të gjorë, ndërsa mediat e kapura prej saj, po e mbulojnë me heshtje.
Përtej skemës çnjerëzore të korrupsionit në landfillin e Sharrës, kjo histori na dëshmon dhe përdhunën që qeverisja aktuale ushtron mbi fjalën e lirë. Kjo tregon gjithashtu kapjen e mediave prej saj, dhe krijimin e një barriere të padepërtueshme kundër të vërtetës, një realitet ky që e dëshmojmë çdo ditë, kur skandale e ngjarje të rënda mbulohen në heshtje në unison nga të gjithë televizionet. Ashtu siç ka monopolizuar pushtetet dhe biznesin, kjo qeveri ka monopolizuar edhe mediat duke instaluar praktikisht një diktaturë të paskuintave në realitet. Kaq është e mjaftueshme për një alarm kombëtar nga të gjithë aktorët publikë, që nga rrethet e gazetarëve, shoqërisë civile e deri tek çdo individ i përgjegjshëm që interesohet për një shoqëri ku gjërat funksionojnë.
Ditë më parë Kryeministri i vendit i konsideroi mediat si një “kazan”, duke u shprehur me neveri për to. Nuk ka dyshim se kjo është deri diku e vërtetë, pasi nëse do të kishim vërtetë një shtyp të lirë e të përgjegjshëm, një qeveri si kjo nuk do të mbijetonte dot as tre muaj, jo më tre vjet. Por e vërteta është se shumë prej tyre nuk janë kazan pse po denoncojnë qeverinë. Përkundrazi, janë të tilla pse nuk po e bëjnë këtë si duhet, madje, në një masë të konsiderueshme, po bëjnë të kundërtën: Po shndërrohen në instrumente propagande për të manipuluar opinionin në funksion të abuzimeve të pushtetit. Në mjaft raste, ato i kanë shërbyer pushtetit në mënyrën më flagrante, në kundërshtim me çdo parim etik e profesional, madje duke dëmtuar edhe imazhin e tyre.
Nëse kudo në botë shqetësimet e intelektualëve mbi median adresojnë komercializmin si shkak të përçudnimit të saj, në Shqipëri, në raport me pushtetin, mediat janë totalisht jashtë tregu. Atyre i duhet të sillen në më të shumtën e rasteve në kundërshtim me çdo logjikë komerciale, duke pranuar shkatërrimin e reputacionit të tyre për hir të interesave që diktohen nga pushteti. Fakti që shumica prej tyre dalin me humbje, tregon se është një treg informal paralel ku, me dëshirë apo përdhunë, ato janë të detyruara të përfshihen për të mbijetuar. Për rrjedhojë ato detyrohen të krijojnë distancë me publikun duke humbur çdo funksion informimi, e duke shërbyer vetëm për të zhurmuar skenën e debatit dhe informimit, për të mos lënë të dëgjohen të vërteta ulëritëse që shpërthejnë nën të.
Gjithashtu, kushdo që ka nocionet më minimale të mënyrës sesi është i ndërtuar një sistem demokratik, e ka të qartë se mediat nuk mund të kryejnë detyrën e tyre pa një klimë normale të funksionimit të shoqërisë. Në një mjedis ku ekziston ndarja e pushteteve, dhe ku hapësira të ndryshme të veprimit social kanë autonominë e duhur për të kryer funksionet e tyre, natyrisht që media e ka më të lehtë të jetë e dobishme. Por në një shoqëri ku qeveria kontrollon thuajse çdo hapësirë, ku kryeministri ka përqendruar në dorën e tij çdo instrument të aksionit social, media nuk mund t’ia dalë të mbijetojë jashtë thonjve të pushtetit. Kjo do të thotë se ato janë të destinuara të shndërrohen në kazan që shërben si rezervuar për të grumbulluar e shkarkuar ujërat e një shtatzanie të dështuar si rilindja.