Qeveria shqiptare ka dhënë OK për ndryshimin e kodit të familjes në favor të komunitetit LGBT. Ndryshimet do të sjellin ripërkufizimin e bashkëjetesës, duke përfshirë, përveç asaj midis një burri e një gruaje, edhe atë midis çifteve homoseksuale. Drafti ka kaluar tashmë për miratim nga Ministria e Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Drejtësisë dhe, sipas të gjitha gjasave, do të jetë gati për të kaluar në Parlament e për të hyrë në fuqi.
Kjo nismë është një hap lejimit të martesave gej, për të cilat është folur që më parë. Ajo sjell ndryshime thelbësore në konceptimin që kodi i bën familjes dhe shumë shpejt do të shkohet drejt kësaj rruge. Historia e debatit mbi homoseksualët ka shkuar nëpërmjet një strategjie të përshkallëzuar dhe kjo është vetëm shkalla e rradhës e një rruge pa fund e pa krye. Fillimisht u hap debati mbi të drejtën e tyre për t’u shprehur publikisht për homoseksualitetin e tyre, më tej u kërkua të sensibilizohet shoqëria mbi pranimin e kësaj sjelljeje, më pas u formulua ligji antidiskriminim, që nuk merr në mbrojtje thjesht homoseksualët si njerëz, por homoseksualitetin si sjellje, duke e detyruar shtetin të bëhet palë pro agjendës gej në debatin mbi këtë fenomen. Ky ligj, më shumë se mbrojtës i diskriminimit, bëhet diskriminues ndaj fjalës së lirë, duke u përdorur për të dhunuar lirinë e shprehjes.
Në këtë zinxhir etapash u kërkua edhe ngritja e flamurit gej përkrah atij kombëtar në institucionet qeveritare në 14 maj, ndërsa një sërë institucionesh kanë kërkuar edhe përfshirjen e pikëpamjeve të kësaj agjende në tekstet shkollore, gjë që ka gjetur përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe drejtuesve të një sërë institucionesh shtetërore e të shoqërisë civile. Më tej janë bërë ndryshime në kodin civil e penal, duke u formuluar ligje në favor të homoseksualëve, duke i dhënë atyre tashmë një status të privilegjur, ndërkohë që kauza është mbështetur fuqishëm nga një sërë kativitetesh si manifestime, shfaqje filmash, ekspozitash, mbështetje mediatike, pa harruar edhe mbështetjen financiare të shtetit me paratë e taksapaguesve.
Në mënyrë ironike, nga faqja reporter.al mësojmë se përfaqësuesi i komunitetit LGBT Kristi Pinderi është shprehur se Shqipëria është më përpara se shumë vende në Bashkimin Europian nga ana e të drejtave, por problemi qendron në praktikë. Pra del se lëvizja e ka kapur shtetin duke e detyruar të formulojë ligje në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë, e cila në praktikë nuk i zbaton ato që miratohen me imponim në letër. Dhe vërtetë, Parlamenti shqiptar ka miratuar një sërë ligjesh në mënyrë të tillë, të detyruar. Ligji mbi antidiskriminimin, i cili i jep homosekskualitetit status të mbrojtur nga shteti, u miratua pak vite më parë pa asnjë votë kundër, vetëm një abstenim, ndonëse vende shumë më liberale se Shqipëria, nuk e kanë pranuar një ligj të tillë. Kjo tregon nivelin e imponimit të kësaj lëvizjeje ndaj shtetit dhe mospërfilljen e shoqërisë nga të votuarit.
Nëpërmejt sofizmash dhe përdorimit të konceptimeve, diku formaliste, e diku spekulative mbi ligjin dhe të drejtën, agjenda gej ka ushtruar diktat mbi shoqërinë, duke iu imponuar shtetit, mediave, shoqërisë civile dhe aktorëve të debatit publik. Nga e diskriminuar ajo është bërë sot diskriminuese e shantazhuese. Një sërë personazhesh publikë, përfshi këtu edhe ministra e aktorë të rëndësishëm në politikë, kanë rënë prehë e sulmeve të saj, duke u detyruar të tërhiqen nga qendrimet e tyre krejt legjitime përballë presionit të madh të krijuar. Ata kanë kërcënuar me 10 vjet burg një zëvendësministër, për një fjalë goje në mjedise private, kanë shantazhuar ish-Ministrin e Drejtësisë, ndërkohë që të njëjtën gjë e kanë bërë me një sërë ministrash e zëvëndësministrash të tjerë, në detyrë ose jo, pa llogaritur këtu njerëz të tjerë pa pushtet, si aktorë, këngëtarë, prezantues etj. Sot shumë njerëz hezitojnë të flasin hapur kundër kësaj lëvizjeje, vetëm për t’ia kursyer vetes problemet me të cilat mund të përballet.
Në çdo hap që ka ndërmarrë, agjenda është treguar e kujdesshme të mbetet aty, e të refuzojë të diskutohet për hapa të mëtejmë. Ajo ka vepruar me marifet, duke fshehur objektivat afatgjatë. Kështu, ajo ka mohuar historikisht se kërkon legalizimin e martesave midis homoseksualëve, por është mjaftuar me triumfin e rradhës. Vetëm 14 majin e kaluar ajo u shpreh për herë të parë pro legalizimit të martesave gej, në debatet publike. Megjithatë historia nuk mbaron me martesat. Rruga është e gjatë dhe sherrnaja nuk ka për të mbaruar kurrë. Hapi tjetër do të jetë adoptimi i fëmijëve. Në çdo moment kur shoqëria dhe institucionet lodhen dhe ofrojnë koncensione, pason një tjetër kërkesë derisa agjenda t’i imponojë totalisht shoqërisë pikëpamjen e saj mbi botën.