Jessica Neuwirth
The Guardian
A mos është marrë peng Amnesty International nga drejtuesit e tregtisë globale të seksit? Kur organizata jo fitimprurëse do të organizojë Takimin e Këshillit Ndërkombëtar javën e ardhshme në Dublin, delegatëve nga e gjithë bota do t’u kërkohet të votojnë një propozim për njohjen e prostitucionit si e drejtë e njeriut.
Amnisty International mbron idenë që prostitucioni është çështje e zgjedhjes së lirë, një qëndrim që promovohet fuqishëm nga industria e tregtisë së seksit, një fuqi me shumë miliarda dollarë. Amnesty ka hedhur pikëpamjen se puna e seksit është në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit, sikur të ishte një punë si gjithë të tjerat.
“Me përkufizim,” deklaron propozimi i Amnesty, “puna e seksit do të thotë që punonjëset e seksit, të cilat janë përfshirë në seks komercial, kanë rënë dakord për këtë”. Ky përkufizim nuk merr parasysh nevojën ekonomike ekstreme, abuzimin seksual në fëmijëri, imponimin brutal që përdorin tutorët, dhe dallimin e madh të pushtetit të seksit dhe racës që shtyjnë industrinë komerciale të seksit.
Amnesty pretendon se “kushte të tilla nuk i frenojnë domosdoshmërish individët e aftë të ushtrojnë një agjenci personale”. Ky argument nuk merr parasysh realitetin për masën e madhe të individëve që shfrytëzohen nga industria e seksit komercial. Kur personeli i OKB shkëmben ushqimin me seks, këto transaksione – të quajtura “mbijetesë seksuale” – teknikisht mund të jenë me mirëkuptim, por nuk mund të konsiderohen shembuj të vullnetit të lirë. Thuajse gjithë prostitucioni është në një farë forme mbijetesë seksuale. Nuk ka zgjedhje aty ku mungon liria për të zgjedhur diçka ndryshe.
Qëndrimit të Amnesty për prostucionin i mungon lentja e gjinisë. Kjo nuk është hera e parë që Amnesty ka qenë e ngathët në mbrojtjen e të drejtave të grave: ajo nuk pranoi ta njihte trafikimin e seksit si dhunim të të drejtave të njeriut deri më 1990. Por tani ajo njeh përdhunimin si mjet lufte dhe disa forma të tjera të dhunës kundër grave – përfshi trafikimin – si dhunim të të drejtave të njeriut.
Në të shkuarën ajo iu shmang njohjes së prerjes së gjenitaleve femërore [praktikë që bëhet në disa vende] si shkelje të të drejtave të njeriut, duke theksuar se kjo praktikë ishte e rrënjosur thellë në traditë, por pastaj e pranoi më 1995. Kjo çështje është dëmtim, jo zgjedhje.
Ndoshta Amnesty duhet të shikojë Konventën e OKB të 1949 për trafikimin, e cila e përcakton prostitucionin dhe trafikimin e seksit si “në kundërshtim me dinjitetin dhe vlerën e njeriut dhe rrezikon mirëqenien e individit, familjes dhe komunitetit”. Nëse kjo organizatë njeh prostitucionin si të drejtë njerëzore, ajo nuk do të mbështesë gratë që mund të mos kenë zgjedhje veç seksit për para, por tutorët dhe blerësit, të cilët kanë gjithë zgjedhjet e botës.
Amnesty i bën thirrje anëtarësisë së saj të ndajë prostitucionin dhe trafikimin e seksit si gjëra që s’kanë asnjë lidhje. Mirëpo, logjika e teorive të ekonomisë për ofertën dhe kërkesën dikton që kërkesa për prostitucion nxit trafikimin e seksit për ta ofruar atë: jo të gjitha prostitutat janë viktima të trafikut të seksit, por të gjitha viktimat e trafikimit të seksit shiten në industrinë e prostitucionit. Amnesty bën thirrje për legalizimin e industrisë, duke mos bërë dallim mes grave që përdoren për prostitucion dhe atyre që paguajnë dhe fitojnë nga shfrytëzimi i tyre.
Suedia ka bërë një dallim ligjor mes atyre që janë futur në industrinë e seksit për shkak të varfërisë dhe diskriminimit dhe atyre që blejnë seks si një ushtrim pushteti dhe privilegji. Modeli ligjor i saj kriminalizon vetëm blerjen e seksit dhe ofron shërbime mbështetëse për personat që blihen. Kjo metodë progresive feministe synon dekriminalizimin e grave të përdorura si prostituta pa legjitimuar gratë që i blejnë ato.
Në librin Paid For [E paguar], një analizë tërheqëse e përvojës së autores Rachel Moran në industrinë e seksit, ajo përshkruan tre tipa burrash që kontrollojnë prostitucionin: ata që mendojnë se gratë që ata blejnë nuk kanë ndjenja njerëzore; ata që janë të vetëdijshëm për ndjenjat njerëzore të grave, por nuk i marrin parasysh; dhe ata që përfitojnë kënaqësi seksuale duke dhunuar ndjenjat njerëzore të grave që blejnë. A do të mbrojë Amnesty të drejtat e njerëzve të tillë për të blerë gra?
Është një moment dëshpërues për ata prej nesh që e duan Amnesty International. Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, i cili i vendosi të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme të SHBA, ka filluar një peticion online ku i bën thirrje organizatës të mos shpallë shfrytëzimin seksual komercial si të drejtë. Vetë koncepti i të drejtave të njeriut – pa përmendur barazinë gjinore – është në rrezik.
Jessica Neuwirth është jurist që mbron të drejtat e njeriut dhe ka punuar si këshilltar për Amnesty International USA në vitet 1980.